Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se “lajme të mira” sa i përket situatës në Iran mund të vijnë më vonë gjatë ditës.
Ka mundësi që orët në vijim, bota të marrë disa lajme të mira, të paktën sa i përket ngushticës, u shpreh Rubio për gazetarët në Nju Delhi, duke iu referuar Ngushticës së Hormuzit, që Irani e ka bllokuar që kur nisi konflikti me Amerikën e Izraelin, në fund të shkurtit.
Rubio konfirmoi se është bërë “përparim i madh” në negociatat SHBA-Iran, edhe pse jo “përparim përfundimtar”.
Sekretari i Shtetit përsëriti qëndrimin se Ngushtica e Hormuzit është një rrugë ujore ndërkombëtare dhe Irani nuk e ka në pronësi.
Ajo që [iranianët] po bëjnë tani është shkatërrimi i anijeve tregtare që përdorin një rrugë ujore ndërkombëtare. Nëse ne lejojmë që kjo të bëhet normale, ne do të normalizonim një status quo të papranueshme dhe do të vendosnim një precedent të rrezikshëm që mund të përsëritej këtu në këtë rajon dhe në shumë vende të tjera të botës.
Preferenca e presidentit Trump është të gjendet një zgjidhje diplomatike, që do të kërkonte pranim e pajtueshmëri të plotë nga Irani. Një marrëveshje e mundshme do të niste po ashtu një proces që në fund mund të na çojë aty ku presidenti dëshiron të jemi dhe kjo është një botë që nuk duhet të jetojë më me frikë apo shqetësim për një armë bërthamore iraniane.
Komentet e Rubios erdhën pasi Trump tha se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës është “gjerësisht e negociuar”. Po ashtu, presidenti amerikan paralajmëroi hapjen e Ngushticës së Hormuzit, ndonëse Teherani mohoi këtë pretendim.
Ngushtica e Hormuzit është një korridor jetik transiti për naftën, gazin e lëngshëm natyror dhe transportin tregtar detar, ndërsa ndërprerja e qarkullimit ka tronditur tregjet globale të energjisë dhe ka shtuar presionin mbi vendet që varen nga rrugët tregtare të Gjirit.