Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Marco Rubio, konfirmoi se negociatorët amerikanë dhe iranianë kanë “një marrëveshje mjaft solide në tavolinë” e se dakordësia midis dy vendeve mund të arrihet sot.
Ende jemi në proces.
Rubio foli pasi presidenti Donald Trump tha se i kishte udhëzuar negociatorët “të mos nxitoheshin për një marrëveshje”, pasi më parë kishte sugjeruar se një e tillë ishte afër.
Thuhet se akordi përfshin një zgjatje të armëpushimit 60-ditor, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe një plan për negociata të mëtejshme mbi programin bërthamor të Iranit.
Duhet pak kohë për të marrë përgjigje nga Irani.
CBS News raportoi se Inteligjenca amerikane beson se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, i cili u plagos në një sulm izraelit në ditën e parë të luftës që vrau babanë dhe paraardhësin e tij, qëndron i fshehur në një vendndodhje të pazbuluar, duke e bërë të vështirë komunikimin me të dërguarit e tij, ndaj dhe vonohet ritmi i bisedimeve me SHBA-të.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, tha në fundjavë se të dy palët ishin “shumë afër e shumë larg” nga arritja e një marrëveshjeje.
Sipas mediave amerikane, marrëveshja e diskutuar nuk është një zgjidhje përfundimtare dhe në vend të kësaj lë disa nga çështjet më të mprehta për t’u negociuar më vonë, duke përfshirë fushëveprimin dhe kohën e lehtësimit të sanksioneve iraniane, lirimin e fondeve të ngrira iraniane dhe kërkesat e Uashingtonit që Irani të frenojë ambiciet e tij bërthamore.
Marrëveshja e raportuar ka përçarë republikanët e Trump-it, me disa që argumentojnë publikisht se është shumë e butë ndaj Iranit.
Senatori Ted Cruz tha se do të ishte “një gabim katastrofik”, ndërsa Roger Wicker, i cili kryeson Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Senatit, deklaroi se një armëpushim 60-ditor do të thoshte se “çdo gjë e arritur nga Operacioni Epic Fury do të ishte e kotë!”.
Trump u përgjigj duke thënë se nuk “i dëgjoi humbësit, të cilët janë kritikë për diçka për të cilën nuk dinë gjë”.
Nëse bëj një marrëveshje me Iranin, do të jetë një e mirë dhe e duhur, shkroi ai në Truth Social.