Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, dhe bashkëshortja e tij, Cristina Serra, duket se po bëjnë përpjekje për të shpëtuar martesën pas muajsh të trazuar.
Sipas gazetës katalane “El Nacional”, çifti që është bashkë prej rreth 30 vitesh ka kaluar së fundmi tre ditë së bashku në Barcelona, gjatë festave të Pashkëve, në një përpjekje për të rikthyer lidhjen e tyre.
Lajmet për ndarjen e tyre dolën në janar të këtij viti, ndërsa në muajin pasardhës u raportua se ishin nisur procedurat e divorcit.
Sidoqoftë, burime pranë çiftit thonë se ata janë të gatshëm t’i japin marrëdhënies një tjetër mundësi, duke theksuar se “nuk ka humbur gjithçka”.
Sipas raportimeve, një nga faktorët që çoi në krizën martesore ishte vendimi i Guardiolës për të rinovuar kontratën me klubin anglez deri në vitin 2027, pa marrë mendimin e bashkëshortes.
Kjo lëvizje u tha se ishte një pikë kthese, pasi Serra kishte vendosur të jetonte në Barcelona me vajzën e tyre më të vogël, Valentina, për të ndjekur interesat e saj të biznesit.
Guardiola dhe Serra janë bashkë që prej vitit 1994 dhe u martuan në një ceremoni private në Barcelonë në vitin 2014.
Megjithëse kanë jetuar të ndarë për më shumë se pesë vite, ata “vazhdojnë të mbajnë unazat e martesës”, një sinjal se ende nuk e kanë mbyllur përfundimisht kapitullin e bashkëjetesës.
Çifti ka tre fëmijë: Maria (24 vjeç), Marius (22) dhe Valentina (17). Tashmë, me përpjekjet për të riforcuar marrëdhënien e tyre, mbetet për t’u parë nëse Guardiola dhe Serra do të arrijnë të rindërtojnë jetën në çift.