Pep Guardiola, trajneri i Manchester City, dhe gruaja e tij, Cristina, kanë vendosur të ndajnë rrugët pas një lidhjeje 30-vjeçare, sipas raportimeve nga media të ndryshme spanjolle.
Është bërë e ditur se çifti i dha fund marrëdhënies në dhjetor të vitit të kaluar, gjatë qëndrimit të tyre në Spanjë.
Megjithatë, raportet sugjerojnë se, edhe pas ndarjes, marrëdhënia e tyre mbetet miqësore dhe e qëndrueshme. Ata kanë jetuar të ndarë për rreth pesë vjet, pasi Cristina u rikthye në Barcelonë për të udhëhequr biznesin e saj të modës. Përkundër largësisë fizike, Cristina ka vazhduar të kalojë kohë me Pepin, i cili është bazuar në Londër për shkak të angazhimeve të tij profesionale.
Guardiola dhe Cristina u njohën shumë vite më parë, kur Pepi ishte vetëm 18 vjeç dhe po modelonte për stilistin Antonio Miro.
Ata u martuan në vitin 2014 në një ceremoni intime në Spanjë dhe kanë tre fëmijë: Maria, Marius dhe Valentina.
Edhe pse kanë ndarë rrugët në jetën personale, ata duket se kanë arritur të ruajnë një marrëdhënie të ngrohtë dhe të respektueshme.