Sanduiçi gjatë pushimit tuaj të drekës është shpesh zgjidhja më e lehtë kur keni nevojë për të ngrënë diçka dhe keni pak kohë në dispozicion. Thuhet se sanduiçi i përdorur si zëvendësim i vakteve është armiku i betuar i dietave. Në realitet nuk është gjithmonë kështu, për aq kohë sa mësojmë të përgatisim një sanduiç i cili nuk tejkalohet me karbohidrate dhe yndyrna. Ndërkaq, revista italiane Grazia.it. ka përzgjedhur 10 saduiçët më të mirët. Njihuni me to:
Francesinha, Portugali
Ai përbëhet nga dy feta të trasha buke të bardhë të mbushura me proshutë, sallam, biftek dhe djathë, të mbuluar me djathë shtesë të shkrirë dhe një salcë pikante birre dhe domate, me një vezë të skuqur sipër. Zakonisht shoqërohet me patate të skuqura, perfekte për të shoqëruar salcën. Thuhet se është shpikur në vitet 1950 nga Daniel da Silva, i cili, i frymëzuar nga croque monsieur francez, e përshtati recetën me përbërësit vendas pas kthimit të tij në Porto.
Sando, Japoni
Në konbini (dyqane japoneze) mund të gjeni sanduiçe të bëra me shokupan (bukë qumështi japoneze), të buta dhe pak të ëmbla. Mbushjet klasike përfshijnë sallatën me vezë dhe majonezë ose katsu (kotoletë të mbushur dhe të skuqur). Versionet e ëmbla, me fruta të freskëta dhe krem, janë gjithashtu shumë të njohura.

Banh Mi, Vietnam
Gjatë kolonizimit francez, vietnamezët adoptuan bukën baguette, duke e shndërruar atë në banh mi të famshme. Kjo bukë ka një kore krokante. Mbushjet ndryshojnë, por baza përfshin paté, mish, perime turshi, koriandër, djegës të freskët dhe pak salcë Maggi. Nuk mungojnë opsionet vegjetariane.
Tortë, Meksikë
E përgatitur me një panine të ngjashme me baguette, mbushjet ndryshojnë në varësi të rajonit. Në Guadalajara, provoni torte ahogada, të zhytur në një salcë djegëse. Në Mexico City, torta Kubane kombinon mish, salçiçe, djathë, vezë të skuqura, fasule dhe avokado.

Sabich, Izrael
Ky sanduiç irakiano-hebre kombinon patëllxhanë të skuqur, vezë të ziera fort, patate, humus, tahini, turshi dhe një mba (chutney mango). I përgatitur fillimisht për Shabbat, ai është sot një simbol i ushqimit izraelit të rrugës.
Sanduiç me mortadella, Itali
Një klasik i kuzhinës lokale, shpesh i lidhur me Bolonjën, vendlindja e mortadellës, një mish i kuq me një shije unike dhe të pagabueshme. Nëse dëshironi ta shijoni në mënyrën më të mirë, kërkoni një sallameri në artizanale në Bolonjë, ose përgatiteni me një mortadella cilësore, sepse sekreti qëndron tek përbërësit.
Gyro, Greqi
Ky sanduiç, i ngjashëm me suvllaqe, bëhet me mish, zakonisht derri ose pulë i gatuar në një rotisserie vertikale, i shërbyer në pita me sallatë, patate të skuqura dhe një salcë tzatziki.

Rou Jia Mo, Kinë
Shpesh i quajtur “hamburgeri më i vjetër në botë”, rou jia mo daton që nga dinastia Qin. Ky sanduiç është i mbushur me mish derri të zier, lëng mishi pikant dhe koriandër, të gjitha të mbështjella me bukë të butë, por krokante.

Ćevapçiqi, Ballkan ose buke me qofte
Emri rrjedh nga arabishtja ćevab ose ćibap, që do të thotë qebap i vogël. Është një sanduiç i mbushur me qofte, i shërbyer në pita së bashku me qepë, djathë dhe ajvar, një salcë e bërë nga speca dhe patëllxhan.
Khachapuri, Gjeorgji
Një përzierje perfekte mes picës dhe tostit me djathë, khachapuri është një bukë në formë varke e mbushur me djathë vendas dhe e përfunduar me një vezë të papërpunuar dhe gjalpë të shkrirë.
