Kryetari i zgjedhur më 14 maj i Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, sot do të dalë para Gjykatës së Posaçme ku do të zhvillohet seanca për masën e sigurisë. Me akuzën e blerjes së votës, 50-vjeçari u arrestua në orët e para të datës 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve vendore të cilat i fitoi si kandidat i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Seanca do të mbahet në orën 13:00, ndërsa avokati i Belerit kërkon masë më të lehtë sigurie se “Arrest me burg”. Një ditë më parë, Fredi Beleri është transferuar nga paraburgimi i Vlorës te 313-ta në Tiranë.
Me të u arrestua dhe Pandeli Kokoveshi, i cili ende qëndron i shtruar në mjediset e QSUT-së, për shkak të problemeve me zemrën. Në seancën plenare të 18 majit, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule kërkoi lirimin e Fredi Belerit e të Pandeli Kokaveshit. Kreun e zgjedhur të Bashkisë Himarë, Dule e cilësoi “të burgosur politik”, sipas tij, “i marrë peng nga kryeministri Edi Rama”. Ai e quajti “absurd” arresimin në flagrancë të Belerit për dyshime.
Ndërkaq, Athina zyrtare përsërit thirrjet drejtuar autoriteteve shqiptare, për të liruar nga paraburgimi Fredi Belerin. Për televizionin STAR, ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias paralajmëroi se kjo situatë mund të ketë ndikim serioz në marrëdhëniet Greqi-Shqipëri. Ai mohoi se po ushtrohet presion e theksoi se e duan miqësinë me vendin tonë, veçse jo me çdo kusht.
Sot në Bruksel ku merr pjesë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, Dendias pritet të paraqesë dhe çështjen Beleri. Po ashtu, ministri grek paralajmëroi dhe për një takim me homologen e tij, Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. I pyetur nëse çështja Beleri do të ndikojë në marrëveshjen e detit në Hagë, Dendias deklaroi se shpreson që veprimi i autoriteteve gjyqësore shqiptare të mos sjellë dhe një ndryshim të qëndrimit politik.