Një qasje e re në kërkimin shkencor po e vendos faljen në qendër të mirëqenies mendore dhe shoqërore. Sipas një studimi të publikuar në revistën NPJ Mental Health Research, praktika e faljes së vazhdueshme lidhet drejtpërdrejt me rritjen e mirëqenies në kultura të ndryshme. Ekspertët theksojnë se falja nuk do të thotë të justifikosh dëmin apo ta harrosh atë, por është një vendim i ndërgjegjshëm për të liruar zemërimin dhe mllefin, edhe kur kjo nuk duket plotësisht e merituar.
Sipas tyre, trajnimi i njerëzve për të praktikuar faljen mund të kthehet në një mjet të fuqishëm për shëndetin publik. Ky fenomen, i njohur si “falje dispozicionale”, po konsiderohet një ndryshim i rëndësishëm në fushën e psikologjisë. Studiuesit besojnë se ka potencial të ndikojë jo vetëm në marrëdhëniet familjare dhe romantike, por edhe në ambientet e punës dhe madje në dinamikat gjeopolitike.
Hulumtimet e hershme mbi faljen janë përqendruar kryesisht në raste ekstreme të dhunës dhe traumës, duke ngritur pyetjen nëse falja është e mundur në rrethana të tilla. Ndërsa sot, vëmendja është zhvendosur drejt ndikimit të saj në jetën e përditshme dhe përfitimeve afatgjata për shoqërinë. Studiuesit nënvizojnë se zhvillimi i kësaj aftësie mund të luajë rol kyç në ndërtimin e një shoqërie më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme emocionalisht.
Kur Sam Parker po hulumtonte për librin e tij rreth një prej emocioneve më të keqkuptuara nga ne, familjarë, miq dhe kolegë i përsërisnin të njëjtën gjë: “Unë nuk zemërohem shpesh.” Një përgjigje ndoshta e pritshme. Nga të gjitha emocionet tona, zemërimi ka reputacionin më të keq. Është tipik për politikanët që shpërthejnë në fjalime, komentuesit anonimë në internet apo përplasjet në transportin publik që bëhen virale. Nuk është çudi që pjesa tjetër përpiqet të distancohet prej tij.
Parker, redaktor në revistën GQ, e kuptonte shumë mirë këtë instinkt. Edhe ai nuk e konsideronte veten një person të zemëruar. Por pas vitesh të tëra ndjesie të pakëndshme dhe përpjekjesh me lloj-lloj metodash “wellness” për të ndjerë veten më mirë, ai kuptoi se problemi ishte zemërimi. Ose më saktë, mungesa e tij.