Lifestyle

Si të jesh i zemëruar në një kuptim të mirë?

Kur Sam Parker po hulumtonte për librin e tij rreth një prej emocioneve më të keqkuptuara nga ne, familjarë, miq dhe kolegë i përsërisnin të njëjtën gjë: “Unë nuk zemërohem shpesh.” Një përgjigje ndoshta e pritshme. Nga të gjitha emocionet tona, zemërimi ka reputacionin më të keq. Është tipik për politikanët që shpërthejnë në fjalime, komentuesit anonimë në internet apo përplasjet në transportin publik që bëhen virale. Nuk është çudi që pjesa tjetër përpiqet të distancohet prej tij.

Parker, redaktor në revistën GQ, e kuptonte shumë mirë këtë instinkt. Edhe ai nuk e konsideronte veten një person të zemëruar. Por pas vitesh të tëra ndjesie të pakëndshme dhe përpjekjesh me lloj-lloj metodash “wellness” për të ndjerë veten më mirë, ai kuptoi se problemi ishte zemërimi. Ose më saktë, mungesa e tij. Çfarë po ndodhte në të vërtetë?

Libri i tij i ri, “Good Anger” (Zemërimi i Mirë), nis me këtë pyetje dhe, përmes një kërkimi të sinqertë për zemërimin brenda vetes dhe tek ata që e shtypin apo e shmangin, Parker ngre pyetjen nëse mund të bëjmë më shumë me këtë ndjesi sesa thjesht ta mohojmë atë. Më poshtë ndan disa mënyra për t’u përballur më mirë me zemërimin.

01. Rishiko mënyrën si e sheh zemërimin

Mendojmë se e dimë si duket zemërimi, sherr pas orarit në pub, luftëtarë të tastierës, agresivitet. Por, sipas Parker, ne po ngatërrojmë zemërimin me agresionin dhe shpesh me dhunën. Dhe në këtë mënyrë, po humbasim thelbin.

Zemërimi është një emocion i shëndetshëm dhe natyral. Agresioni është një zgjedhje sjelljeje, zakonisht e gabuar. Në fakt, shpërthimi i inatit është më shumë një refuzim i zemërimit sesa shprehje e tij: është një shenjë se nuk mund të përballojmë dhimbjen, mungesën e respektit apo ndjesinë e cenueshmërisë që po përjetojmë.

Kur ta kuptojmë qartë se zemërimi nuk është domosdoshmërisht i keq, atëherë mund të mësojmë si ta përdorim në mënyrë konstruktive.

02. Gjej energjinë tënde të zemëruar

Është e vështirë të kanalizosh zemërimin për mirë kur instinktet të shtyjnë ta shtypësh ose ta shpërthesh në mënyrë impulsive. Një gjë që e ndihmoi Parker ishte boksi. Goditja e thesit në palestër i dha mundësinë të shihte zemërimin në veprim.

Zemërimi i mirë është kur marrim energjinë dhe qartësinë që sjell zemërimi dhe veprojmë për të përmirësuar situatën tonë, jo për ta përkeqësuar. Është balanca mes shtypjes së ndjenjave, që na dëmton, dhe shpërthimit të tyre, që dëmton të tjerët. Zemërimi i mirë është një rrugë e tretë. Në gjuhën emocionale, është si të kesh një brez të zi, shumë e vështirë, por nëse unë munda të përmirësohem, mundet kushdo.”

03. Aktivizo “veten e zemëruar”

Ndoshta po e lëshon zemërimin pa e kuptuar fare, një vrap pas punës, ditari i mëngjesit herët. Mund ta quash “shkarkim energjie”. Parker sugjeron që t’i qasesh më drejtpërdrejt këto shprehje, siç bëri ai me boksin, për të kuptuar më mirë zemërimin që kishte brenda vetes.

Shpesh trupi e di diçka para se mendja të jetë gati ta pranojë. Unë kisha zemërim të shtypur për vite me radhë, që shfaqej si shtrëngim dhëmbësh, dridhje të këmbëve, e të tjera. E provova boksin rastësisht, nuk kam qenë kurrë në ndonjë sherr, dhe më ndihmoi të kuptoj se trupi mund të jetë një mjet për të hyrë në kontakt me zemërimin në mënyrë të shëndetshme.

04. Përballu me zemërimin në vendin e punës

Qoftë duke u ankuar për një koleg nervozues apo duke sharë shefin pas pune në pub, shpesh ndiejmë zemërim në ambientin e punës. Por ky zemërim, sipas Parker, shpesh tregon diçka më të thellë.

Humbasim shumë kohë, energji dhe qetësi për shkak të zemërimit të pazgjidhur në punë. Sipas përvojës sime, shumica e gjërave që na mërzisin nga kolegët lidhen me një ndjesi të vetme: na duket se nuk na respektojnë sa duhet. Dhe kjo ndez pasiguri të thella mbi vlerën personale, sindromën e mashtruesit etj. Zemërimi është sinjali që na dërgon ndërgjegjja për të na vënë në dijeni për këto probleme.

Në vend që ta marrësh zemërimin në shtëpi, mëso të hapësh biseda të drejtpërdrejta.

Askush nuk dëshiron t’i thotë një kolegu, ‘Më bëre të ndihem i zemëruar’, por ajo bisedë është pothuajse gjithmonë më e mirë sesa të të prishë fundjavën.

05. Jepi dikujt “hartën e zemërimit” tënd

Nëse ke parë emisione si Couples Therapy, e njeh momentin kur debati mbi kush lan enët kthehet në përplasje të vërtetë para kamerave. Të kuptosh zemërimin tënd ndihmon të identifikosh çfarë të provokon emocionalisht, dhe cilat butona ti i shtyp te partneri yt. Një njohje e vlefshme për çdo marrëdhënie.

Zemërimi i mirë në një marrëdhënie ngjan me një bisedë të qetë dhe të pjekur, diçka shumë e vështirë kur prindërit e partnerit janë në rrugë për vizitë dhe dikush ka harruar të nxjerrë plehrat.Një mënyrë e dobishme për të arritur atje është të bëni që në fillim atë që unë e quaj ‘biseda e zemërimit’: një dialog i vetëdijshëm me partnerin për ato që të nxisin ty dhe mënyrat se si reagon, sikur t’i jepni njëri-tjetrit një hartë që mund të përdorni herën tjetër që debatoni.

Dhe ky është, ndoshta, thelbi i gjithë kësaj:

Zemërohesh dhe do të zemërohesh sërish. Por ajo që ka rëndësi është çfarë bën me të.