Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, sot deklaroi se vendi i tij dënon në nivelin më të lartë sulmin “e tmerrshëm” të kryer në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor në Zubin Potok e shtoi se “ndonëse është herët të dihet fajtori, në këtë fazë nuk mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet”. Deklaratat, diplomati i Uashingtonit i dha pas një takimi me kryeministrin Kurti, i cili ka ftuar trupin diplomatik në Kosovë për t’i njohur me më të rejat lidhur me këtë sulm që Kosova e konsideron “terrorist” e fajëson Serbinë.
Në anën tjetër, Serbia mohon të gjitha akuzat e ka thënë se po kryen hetimet e veta për këtë rast.
Momentalisht, Amerika nuk mund të thotë se kush është pas sulmit. Eshtë ende herët e çështje si këto kërkojnë hetime të kryera me kujdes. Ajo që mund të them është se u kemi ofruar ndihmë autoriteteve të Kosovës. Mendojmë që është shumë e rëndësishme që të ketë hetim për të identifikuar përgjegjësit.
Hovenier vuri në dukje se sulmi ka rrezikuar qytetarët e Kosovës dhe se “përgjegjësit duhet të japin llogari”. Shpërthimi ndodhi në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, me shumicë serbe në veri të vendit. Policia e Kosovës ka thënë se sulmi u krye me lëndë shpërthyese deri në sasinë prej 20 kilogramësh.
Nga Liqeni i Ujmanit, kanali i Ibër-Lepencit furnizon me ujë gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinat, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Ai fillim, autoritetet kanë ndaluar tetë persona të dyshuar lidhur me këtë sulm e po ashtu kanë kryer kontrolle në pjesën veriore të vendit.
Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur sot se komunat që furnizohen me ujë nga Ibër Lepenci, mund të kenë reduktime gjatë ditës, për shkak të punimeve në kanalin e ujit. Ministrja Rizvanolli shtoi edhe se punimet kanë përfunduar e furnizimi me ujë rifilloi. Në Termocentralin “Kosova B”, nivelet e ujit janë duke u monitoruar dhe duken të mjaftueshme. Kompania rajonale e ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar qytetarët përmes një postimi në Facebook se po bën përgatitjet e duhura për rikthimin e furnizimit e që trajtimin e ujit e nis në orën 12:00.