Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur sot se komunat që furnizohen me ujë nga Ibër Lepenci, mund të kenë reduktime gjatë ditës, për shkak të punimeve në kanalin e ujit, i cili u dëmtua si pasojë e një sulmi të kryer më 29 nëntor. Shpërthimi i një sasie eksplozivi ndodhi në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, me shumicë serbe në veriun e vendit.
Policia e Kosovës bëri të ditur se ky sulm u krye me lëndë shpërthyese, me një sasi deri në 20 kilogramë.
Nga Liqeni i Ujmanit, kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë të gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinat e saj, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës që e përdor për ftohjen e termoelektranave. Kosova fajësoi Serbinë për këtë sulm që e ka konsideruar “terrorist” ndërsa Beogradi zyrtar mohoi çdo akuzë. Fillimisht, autoritetet e Kosovës ndaluan tetë të dyshuar lidhur me këtë sulm, si dhe kanë kryer bastisje në pjesën veriore të vendit.
Një ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë bëri të ditur se të pandehurit me iniciale D.V i caktoi masën e paraburgimit prej 1 muaji, me dyshimet se ka kryer veprën penale, rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike.
Ministrja Rizvanolli shtoi edhe se punimet kanë përfunduar e furnizimi me ujë rifilloi. Në Termocentralin “Kosova B”, nivelet e ujit janë duke u monitoruar dhe duken të mjaftueshme. Kompania rajonale e ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar qytetarët përmes një postimi në Facebook se po bën përgatitjet e duhura për rikthimin e furnizimit e që trajtimin e ujit e nis në orën 12:00.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se Serbia ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit. Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç reagoi kur tha se “vendi i tij nuk është i përfshirë në sulm” por se autoritetet serbe i kanë disa dyshime dhe deklaroi se “hetimet do të tregojnë se kush e ka urdhëruar”.
Mendoj se kemi disa njohuri për atë se kush mund të jetë autori, u shpreh mes të tjerave presidenti serb. Sulmi është dënuar ashpër edhe nga faktori ndërkombëtar.