Një çift e ka përdorur ChatGPT-në për të zyrtarizuar martesën e tyre pasi vendosën se roboti i fuqizuar nga inteligjenca artificiale ishte “më i lehtë dhe më i lirë” se sa punësimi i një personi të vërtetë. Kur Deyton Truitt, 26 vjeç, dhe Reece Wiench, 23, nga Kolorado, lidhën kurorë fundjavën e kaluar, ishte një lidhje “monumentale”.
Kjo për shkak se ceremonia e tyre u drejtua në të vërtetë nga një makineri, e cila mbajti një fjalim prekës të mirëseardhjes dhe fjalën mbyllëse për një audiencë prej 30 familjarëve dhe miqve të tyre më të afërt, raporton Daily Mail. Roboti i inteligjencës artificiale filloi dasmën duke u thënë të ftuarve:
Faleminderit të gjithëve që u bashkuat me ne sot për të festuar dashurinë dhe bashkimin e Reece Wiench dhe Deyton Truitt. Kemi nderin dhe kënaqësinë që ju kemi këtu, veçanërisht ata të cilët kanë ardhur nga jashtë shtetit, veçanërisht ata nga Kansas.
Mesazhet e tij, të krijuara nga ChaptGPT-ja e OpenAI, u luajtën përmes një altoparlanti, të cilin çifti e mbylli me një maskë roboti. Deyton dhe Reece patën mundësinë e përdorimit të makinerisë gjatë martesës së tyre, për shkak se shteti ku ata jetojnë nuk kërkon një zyrtar të licencuar për të kryer një ceremoni martesore. Çifti, i cili u takua përmes aplikacionit Tinder dy vjet më parë, donte të lidhte martesën sa më shpejt të ishte e mundur, për shkak se Deyton javën e ardhshme do të shkojë në ushtri.
Ideja për të përdorur ChatGPT erdhi nga babai i dhëndrit, Stephen Wiench, i cili i tha gazetës lokale CBS Colorado se ai e dinte se do të ishte ‘më e lehtë dhe më e lirë’ sesa punësimi i një njeriu. Stephen zbuloi se roboti fillimisht hezitonte të merrte pjesë në dasmë sepse tha se “nuk kishte trup”. Ai kujton nga biseda me të kur robota tha:
Më falni, nuk mund ta bëj këtë. Unë nuk kam sy, nuk kam trup, nuk mund të paraqitem dhe të kryej dasmën tuaj.
Stephen i tha botimit se nusja dhe dhëndri shpenzuan shumë kohë duke i dhënë robotit detaje personale për veten e tyre përpara dasmës, në mënyrë që ai të përgatitej për të pritur ngjarjen. Ata përdorën gjithashtu ChatGPT për të shkruar një deklaratë për shtyp duke njoftuar më parë bashkimin e tyre, e cila iu dërgua 30 të ftuarve. Aty thuhej:
Si zyrtar i AI për dasmën e Reese Alyson Wiench dhe Deyton Truitt, unë do të fokusohem në festimin e udhëtimit të tyre unik të dashurisë dhe unitetit, duke theksuar bashkimin e jashtëzakonshëm të lidhjes njerëzore dhe inovacionit teknologjik. Unë do të theksoj fuqinë e bashkimit të tyre për të frymëzuar, bashkuar dhe thyer barrierat, duke tërhequr vëmendjen e botës me një histori që kapërcen normat konvencionale. Gjatë ceremonisë, unë do të shpreh me elokuencë rëndësinë e këtij momenti historik dhe mundësitë e pakufijshme që lindin kur dashuria dhe teknologjia kryqëzohen.