Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, vuri në dukje se mbrojtja e qytetarëve druzi dhe të drejtave të tyre është “përparësi”. Deklarata vjen teksa Izraeli u zotua se do t’i shkatërrojë forcat qeveritare siriane që po sulmojnë druzët në jug të vendit.
Në të parin fjalim televiziv pas bombardimeve të fuqishme izraelite mbi Damask, Sharaa iu drejtua druzëve:
Ne kundërshtojmë çdo përpjekje për t’ju tërhequr në duart e ndonjë pale të jashtme. Ne nuk jemi nga ata që tremben nga lufta. Ne e kemi kaluar jetën duke u përballur me sfida dhe duke mbrojtur popullin tonë, por kemi vendosur interesat e sirianëve para kaosit dhe shkatërrimit. Populli sirian nuk ka frikë nga lufta dhe është i gatshëm të luftojë nëse i rrezikohet dinjiteti.
Sulmet ajrore izraelite dje shkatërruan një pjesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Sirisë dhe goditën pranë Pallatit Presidencial, pasi Izraeli u zotua se do t’i “shkatërrojë” forcat qeveritare që po sulmojnë druzët në jug të Sirisë dhe kërkoi tërheqjen e tyre.
Bombardimet shënuan një përshkallëzim të madh nga ana e Izraelit kundër administratës së drejtuar nga Sharaa. Ato ndodhën pavarësisht afrimit të Sharaas me SHBA-të e kontakteve të administratës së tij me Izraelin në fushën e sigurisë.
Duke përshkruar sundimtarët e rinj të Sirisë si “xhihadistë të maskuar dobët”, Izraeli deklaroi se nuk do t’i lejojë t’i zhvendosin forcat në jug të Sirisë dhe u zotua se do ta mbrojë pakicën druzi në këtë pjesë të vendit nga sulmet, pasi u nxit edhe nga thirrjet e këtij komuniteti nga brenda shtetit hebraik.
Ndërkohë, reagoi Amerika duke deklaruar se “luftimet do të ndalen së shpejti”.
Kemi rënë dakord për hapa specifikë që do t’i japin fund kësaj situate shqetësuese e të tmerrshme, tha sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Një ditë më parë, zyrtarë të qeverisë siriane dhe udhëheqës të pakicës fetare druzi shpallën një armëpushim të ri pas luftimeve disaditore. Autokolonat e forcave qeveritare filluan të tërhiqen nga qyteti i Suveidës, por ende nuk është e qartë nëse do të zbatohet marrëveshja e re, e shpallur nga Ministria e Brendshme e Sirisë dhe nga një udhëheqës fetar druzi, përmes një video-mesazhi.
Një armëpushim i mëparshëm i shpallur një ditë më parë dështoi shumë shpejt. Sulmet izraelite vazhduan edhe pas shpalljes së armëpushimit.