Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi me postë, jashtë Kosovës. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Numërimi i këtyre fletëvotimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, deklaroi Elezi për KosovaPress.
Sipas tij, KQZ-ja është e gatshme të shpallë rezultatin përfundimtar, por duhet pritur nëse do të ketë ankesa në PZAP.
Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ-ja është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor.
Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar, tha Elezi.
Në zgjedhjet e parakohshme politike, Lëvizja Vetëvendosje mori 51.11% të votave dhe do të ketë 57 vende në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 20.19 me 22 vende, LDK-ja 13.23% e 15 deputetë dhe AAK-ja 5.5% apo 6 vende në parlament.
Ndërkaq, partitë minoritare kanë 20 vende në Kuvendin e Kosovës.