LVV fiton bindshëm, i hapet rruga për formimin e qeverisë së re në Kosovë. Me pothuajse të gjitha votat e rregullta të numëruara, partia e Albin Kurtit ka fituar 49.3%, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 21.01, Lidhja Demokratike me 13.59 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.68%. Ndërkaq, Lista Serbe e afërt me Beogradin fitoi 4.74% të votave.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, shpalli fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe tha se kjo është fitorja “më e madhe në historinë e vendit”. “Më 9 shkurt fitoi LVV-ja me partnerët, më 28 dhjetor fitoi populli i Kosovës dhe Republika”, tha Kurti. Sipas tij, rezultati zgjedhor kërkon të ecet përpara, pa vonesa.
Sa më parë që certifikohen rezultatet, aq më shpejt na duhet të krijojmë institucionet dhe të vazhdojmë me punën e mirë.
Në legjislaturën e re, Kurti pret Planin e Rritjes së BE-së në vlerë 880 milion euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore, që në total arrijnë vlerën e mbi 1 miliard eurove.
Ftoj nga tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare dhe për projektligje të tjera.
Kurti u pyet edhe për çështjen e presidentit e tha se është herët të flitet, por shtoi se me opozitën duhet të trajtohet kjo çështje, si edhe me presidenten aktuale, Vjosa Osmani, të cilës i skadon mandati në mars.
I pyetur nëse do të negociojë me partitë opozitare për presidentin dhe që ato të propozojnë emrin e kandidatit, Albin Kurti deklaroi:
Ta negocioni dhe t’ua jepni atyre janë dy gjëra të ndryshme. Nuk mund të përdoren si sinonime, aq më pak në të njëjtën fjali. Natyrisht që duhet ta bisedojmë me opozitën këtë çështje. Por, paraprakisht duhet të diskutojmë për marrëveshjet ndërkombëtare. Ai do të jetë një test i rëndësishëm për bashkëpunimin qeveri-opozitë në katërvjeçarin e ardhshëm. Po e rikthesoj, fillimisht duhet të presim certifikimin e rezultateve.
Në Kosovë dje u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku të drejtë vote kishin rreth 2 milion qytetarë. KQZ-ja deklaroi se procesi u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa incidente serioze. Pjesëmarrja në votime ishte në nivelin 45%.