Bota

Përkujtohen viktimat e cunamit të para 20 viteve në Oqeanin Indian!

Njerëzit janë bashkuar për t’u lutur dhe kanë vizituar varret masive në provincën Aceh të Indonezisë më 26 dhjetor për të shënuar 20-vjetorin e cunamit masiv në Oqeanin Indian që goditi rajonin dhe që ishte një nga katastrofat më të këqija natyrore në historinë moderne.

Shumë persona vendosën lule në varrin masiv në fshatin Ule Lue, ku më shumë se 14 mijë viktima të paidentifikuara të cunamit janë varrosur. Ky është një prej disa varreve masive në Banda Aceh, kryeqytetin e provincës më veriore të Indonezisë që ishte një nga zonat e goditura më së rëndi nga tërmeti me magnitudë 9.1 Rihter dhe nga cunami masiv që u shkaktua më pas.

“Na mungojnë dhe ende nuk e dimë se ku janë. Të gjithë e dimë se çdo vit ne vizitojmë varret masive në Ule Lue dhe Siron, tha Muhamad Amirudin, i cili humbi dy fëmijët e tij 20 vjet më parë. Trupat e tyre nuk u gjetën kurrë.

Tërmeti i fuqishëm që goditi në afërsi të brigjeve të ishullit Sumatra më 26 dhjetor 2004, shkaktoi cunamin që la të vrarë gati 230 mijë persona në dhjetëra shtete dhe shkoi deri në Afrikën Lindore. Afro 1.7 milion persona u zhvendosën, kryesisht në katër shtetet e goditura më rëndë nga fatkeqësia natyrore: Indonezi, Sri Lankë, Indi e Tajlandë.

Vetëm në Indonezi vdiqën më shumë se 170 mijë persona. Qindra njerëz u mblodhën në ceremonitë përkujtimore në Banda Aceh. Sirenat ranë për tre minuta në mbarë qytetin, për të shënuar kohën sa zgjati tërmeti i fuqishëm. Tani ky qytet është rindërtuar dhe janë vendosur sisteme paralajmëruese për cunami.

Edhe në Tajlandë janë organizuar ceremoni për të përkujtuar më shumë se 8 mijë vetë që vdiqën si pasojë e cunamit. Rreth 400 trupa ende nuk janë identifikuar. 300 persona morën pjesë në një ceremoni të lutjeve ku kishte besimtarë myslimanë, të krishterë e budistë.

Në Indi, qytetarët u mblodhën në plazhin Marina në qytetin Çenai. Ata hodhën qumësht në det për të qetësuar zotat dhe ofruar lule dhe u lutën për viktimat. Sipas të dhënave, në Indi kanë vdekur 10 mijë e 749 persona nga cunami i vitit 2004. Ceremoni përkujtimore janë zhvilluar edhe në Sri Lanka, ku u mblodhën të mbijetuarit e familjarët e viktimave. Në këtë shtet, më shumë se 35 mijë persona kanë humbur jetën nga fatkeqësia natyrore që ndodhi dy dekada më parë.