Bota

Përmbytje në Teksas të SHBA-ve, të paktën 24 viktima/23 vajza të zhdukura!

Ndërsa vendi ynë dhe mbarë Europa po përballen me vapën e tmerrshme, Teksasi në Shtetet e Bashkuara është goditur nga përmbytjet. Të paktën 24 persona kanë vdekur në Qarkun Kerr dhe 23 vajza (nga një kamp i krishterë përgjatë brigjeve të lumit Guadalupe) rezultojnë të zhdukura.

Prioritet i menjëhershëm është të shpëtojmë jetë njerëzish, deklaroi guvernatori Greg Abbott.

Kërkimi për të zhdukurit dhe ata që janë përfshirë në përmbytje në Teksasin qendror vazhdon pa ndërprerje, duke përdorur edhe helikopterë të pajisur me teknologji infra të kuqe.

Numri i viktimave mbetet i pasigurt dhe përmbytjet “janë shkatërruese e vdekjeprurëse”, tha Rob Kelly, shefi i Policisë së Qarkut Kerr. Ekipet e ndihmës kanë kryer dhjetëra operacione shpëtimi ndërsa autoritetet përpiqen të identifikojnë viktimat.

Qarku Kerr nuk ka sistem paralajmërimi dhe nuk e dinim se po vinte një përmbytje si kjo, tha guvernatori. Kemi përmbytje gjatë gjithë kohës. Kjo është lugina më e rrezikshme e lumit në Shtetet e Bashkuara.

Apele sociale për të zhdukurit

Dhjetëra njerëz postuan në Facebook duke kërkuar informacion në lidhje me fëmijët, nipërit dhe mbesat që po ndiqnin një nga shumë kampet verore në zonë ose për anëtarë të familjeve që gjendeshin aty për kamping. Departamenti i zjarrfikësve postoi foton e një deklarate nga Kampi Mystic, që njoftonte se kampi privat veror i krishterë për vajza përjetoi “përmbytje katastrofike”.

Përmbytjet e lumit Guadalupe në Teksas

Lumi Guadalupe në komunitetin Hunt, ku ndahet, është rritur 22 metra në vetëm dy orë.

Kjo është diçka që të zë në befasi, uji lëviz aq shpejt sa nuk e kupton ashpërsinë e situatës derisa të gjendesh poshtë tij.