Aktualitet

Përplaset autoambulanca, aksident rrugor me 6 të plagosur në Gjirokastër!

Aksident rrugor pranë urës së Kardhiqit në Gjirokastër, 6 të lënduar. Një autoambulancë u përplas me një automjet dhe për pasojë mbetën të plagosur dy drejtuesit, pacienti që po transportohej, shoqëruesja, infermierja e një pasagjere e makinës tjetër. Pacienti ndodhet në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Rreth orës 09:30 të mëngjesit të sotëm, një aksident rrugor ka ndodhur pranë urës së Kardhiqit, ku një autoambulancë me drejtues shtetasin Gj.Sh. është përplasur me një automjet tjetër të drejtuar nga shtetasi D. K.

Si pasojë e përplasjes janë plagosur drejtuesi i ambulancës, pacienti që po transportohej, shoqëruesja dhe infermierja që ndodheshin në autoambulancë, si dhe drejtuesi dhe një pasagjere në automjetin tjetër.

Pacienti, shtetasi I.M., ndodhet në gjendje më të rëndë shëndetësore, ndërsa të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtim mjekësor.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT-i për muajin maj 2025, janë regjistruar 130 aksidente rrugore, duke e çuar numrin total për pesëmujorin Janar–Maj në 531, në mbarë vendin. Megjithëse ka një rritje të lehtë të aksidenteve krahasuar me prillin, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vërehet një ulje me mbi 14% si në numrin e aksidenteve, ashtu edhe në të aksidentuarve. 185 në maj, mes tyre drejtues mjetesh, pasagjerë dhe këmbësorë.

Mbi 90% e aksidenteve janë shkaktuar nga drejtuesit e mjeteve, shpesh për shkak të shpejtësisë, mungesës së vëmendjes apo shkeljeve të sinjalistikës.

Mosha më problematike vazhdon të mbetet 25–44 vjeç, ndërsa për herë të parë, raporti gjinor tregon një rritje të përfshirjes së femrave si drejtues mjeti në aksidente, krahasuar me vitin e kaluar. Pamjet që shoqërojnë statistikat janë të zakonshme: rrugë të ngarkuara, semaforë të shpërfillur, si dhe shpejtësi të pakontrolluara në segmentet urbane e interurbane.

Në mesin e sezonit turistik dhe me fluksin e automjeteve, rreziku për aksidente rritet, ndaj po zbatohet forcim i kontrolleve rrugore, sidomos në zonat bregdetare dhe pikat hyrëse në qytete të mëdha. Sipas të dhënave të INSTAT-it, për periudhën Janar–Maj 2025, në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 661 aksidente rrugore, me një ulje prej 14.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.