Në lokalin ku ndodhi sherri mes një grupi personash gjatë mbrëmjes së djeshme në Tiranë, fillimisht kanë shkuar pesë persona, më pas dy të tjerë e në fund edhe një tjetër. Konflikti mes tyre nisi kur njëri nga grupi nuk pranoi t’i japë dorën dhe nuk i ka folur njërit prej djemve në tavolinë. Pas kësaj nisi një debat i rëndë me fjalë banale dhe ka përfunduar deri në përleshje fizike, me sende të forta. Njëri prej djemve, doli jashtë, mori te makina një pistoletë dhe me tytën e armës së zjarrit goditi një person.
Në këtë moment dyshohet se është qëlluar të paktën një herë, por fatmirësisht plumbi nuk ka prekur njeri. Pas të shtënës të gjithë janë larguar nga vendngjarja me disa makina.
Kur policia shkoi në vendngjarje, përmes pamjeve të kamerave ka mundur të identifikojë të plotë të gjithë personat e përfshirë në konflikt. Një pjesë e tyre janë gjetur dhe shoqëruar, përfshirë shumë të tjerë si dëshmitarë, ndërsa disa janë shpallur në kërkim. Në orët në vijim, në përfundim të marrjes në pyetje pritet t’iu komunikohet masë arresti.