Këngëtares 22-vjeçare, Billie Eilish i ka ndodhur një incident gjatë një koncerti në Desert Diamond Arena në Glendale, Arizona, më 13 dhjetor 2024. Gjatë performancës së këngës së saj “What Was I Made For?”, ajo u godit papritur në fytyrë me një varëse që u hodh nga një prej fansave të saj që po ndiqnin koncertin.
Në videon që qarkulloi në rrjetet sociale, shihet Eilish duke kënduar në skenë teksa u godit nga objekti. Pas një pauze të shkurtër dhe një reagimi të menjëhershëm të habitur, ajo e hedh bizhuterinë dhe vazhdon të këndojë pa u ndalur. Publiku reagoi menjëherë me një thirrje të fortë, ndërsa fansat e Eilish filluan të shprehnin shqetësimin dhe revoltën e tyre në rrjetet sociale.
Reagimet ndaj incidentit ishin të shumta, ku shumë fansa dënuan hedhjen e objekteve dhe e konsideruan të pasigurt dhe të papranueshëm veprimin. “Veprim i gabuar në shumë nivele,” shkruajti një përdorues në X (Twitter). “Kjo është e rrezikshme dhe mund të shkaktojë dëme,” tha një tjetër, ndërsa një i tretë shprehu shqetësimin për sigurinë e këngëtares dhe shpresoi që ajo të ishte mirë.
Ky incident ndodhi pas disa rasteve të ngjashme që kanë ndodhur vitet e fundit në koncerte të ndryshme, duke përfshirë raste të tilla si goditjet me shishe ndaj Harry Styles në vitin 2022, Drake, hedhja e një pijeje ndaj Cardi B në Las Vegas, dhe një celular i hedhur ndaj Bebe Rexha në New York City. Këngëtarja Adele gjithashtu reagoi vitin e kaluar ndaj këtij fenomeni, duke e quajtur atë të papranueshëm dhe duke paralajmëruar fansat për pasojat e hedhjes së objekteve në skenë.
Billie Eilish ka folur më parë rreth këtij fenomeni dhe e ka pranuar se ndonëse e bezdis, ajo e kupton që fansat e hedhin objektet si një shenjë dashurie dhe emocionimi, por e pranon se është një tendencë shumë e rrezikshme. Ajo ka theksuar se përvoja e saj me këtë fenomen ka nisur që nga fillimi i karrierës dhe se ka qenë e detyruar të përballet me këtë rrezik për shumë vite.