Art & Kulturë

Piktura e humbur e Salvador Dalisë e blerë për 150 paund, shitet për 45,700 paund

Një pikturë e humbur e mjeshtrit surrealist Salvador Dalí, e blerë për vetëm 150 paund në një shitje shtëpie në Kembrixh, është shitur në ankand për 45,700 paund, pasi u konfirmua si vepër autentike e artistit të famshëm spanjoll.

Vepra, një akuarel me detaje floriri, u gjet rastësisht dy vite më parë nga një tregtar vendas antikitetesh, i cili gjatë një shitjeje shtëpie vuri re firmën karakteristike të Dalísë në cepin e poshtëm të djathtë dhe një afishe të vjetër në pjesën e pasme të pikturës.

Edhe pse fillimisht dyshoi për falsifikim, tregtari vendosi ta blinte veprën “nga momenti i nxituar”, duke e fituar për 150 paund. Më pas, ai shpenzoi mbi 4,000 paund për ta gjurmuar historinë e saj.

Ekspertët e shtëpisë së ankandeve në Kembrixh konfirmuan se piktura ishte një ilustrim i humbur, pjesë e një serie prej 500 veprash të frymëzuara nga “Nata Arabe”, të cilat Dalí kishte planifikuar të krijonte në vitin 1966.

Interesi për ankandin ishte i jashtëzakonshëm dhe piktura përfundimisht u ble nga një koleksionist i huaj.

“Ishte një ndjesi që ndodh vetëm një herë në jetë”, tha tregtari, i cili dëshiroi të mbetet anonim.