Art & Kulturë

12 milion dollarë në ankand për një peizazh të Monet!

Një peizazh i rizbuluar së fundmi i artistit të njohur francez, Claude Monet është shitur për 12 milion dollarë në një ankand në Francë, tha shtëpia e ankandeve “Sotheby’s”.

Piktura me vaj, e titulluar “Vétheuil, effet du matin” dhe e përfunduar në vitin 1901, ishte vlerësuar në 8 milion euro, sipas katalogut të ankandit.

“Sotheby’s” tha se rezultati shënoi një çmim rekord për një vepër të Monet të shitur në Francë.

Vepra nxjerr në pah zhvillimet kryesore në lëvizjen impresioniste, veçanërisht përshkrimin e dritës natyrore të reflektuar në ujë, deklaroi shtëpia e ankandeve.

Një tjetër pikturë e Monet, “Les îles de Port-Villez” nga viti 1883, u shit për 7,41 milion euro, mbi vlerësimin e saj prej deri në 5 milion euro.

Të dyja pikturat ishin mbajtur në koleksione private për rreth një shekull dhe përshkruajnë pjesë të lumit Sena pranë Giverny, ku jetoi Monet.

Rekordi global i ankandit për një vepër të Monet mbetet 110,7 milion dollarë, i vendosur nga “Meules” kur u shit në Nju Jork në vitin 2019, referuar raportimeve të mediave.