Një konflikt për një vend parkimi në Ksamil përfundoi me dëmtimin e një 54 vjeçari po nga Ksamili, i cili për shkak të plagëve në kokë po mjekohet te Spitali i Traumës në Tiranë. Një shtetas turk i moshës 26 vjeç përfundoi në pranga. Policia e Sarandës arrestoi Hasan Dembirasin, lindur në Turqi dhe me banim të përkohshëm në Prishtinë, i dyshuar si autori i goditjes së Adriatik Mollanjit, një natë më parë.
Pas një debati të çastit për parkimin, Mollanji u shty dhe nga rrëzimi në tokë, pësoi dëmtime në pjesën e pasme të kokës. I dëmtuari është mes katër personave për të cilët nisi procedimi penal në gjendje të lirë, mes tyre një turk, bashkëkombas i të arrestuarit, po 26 vjeç.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori dhe:
•arrestuan shtetasin turk H.D., 26 vjeç, me banim të përkohshëm në Prishtinë, pasi më datë 06.06.2025, rreth orës 21:15, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte shtetasin A.M., 54 vjeç, banues në Ksamil, i cili ka marrë dëmtim në kokë dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.
Gjithashtu nisi procedimi penal në gjendje të lirë edhe për shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt B.M., 50 vjeç, Sh.M., 42 vjeç, shtetasin e dëmtuar A.M., si dhe shtetasin turk A.B., 26 vjeç.