Aktualitet

Plagosja e 15-vjeçarit te “Ali Demi”, në kërkim autori dhe pronari i picerisë!

Plagosja e djeshme e një 15 vjeçari në një piceri në zonën e Ali Demit në Tiranë, shpallen në kërkim autori i dyshuar 21 vjeç, i cili punon si motorist, Aldi Neziri dhe administratori i biznesit, Leonardo Mejdani. Ndërkaq, tre punonjës u vunë në prangat e policisë së kryeqytetit për moskallëzim krimi e veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës duke ndërhyrë te kamerat e sigurisë.

Njoftimi i policisë:

DVP Tiranë

Zbardhen dhe dokumentohen rrethanat e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, te “Ali Demi”, ku u plagos me armë zjarri një 15-vjeçar.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 21-vjeçar, i cili dyshohet se e ka qëlluar me armë zjarri atipike 15-vjeçarin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në një piceri.

Arrestohen 3 punonjës të picerisë dhe shpallet në kërkim administratori i saj, pasi nuk kanë kallëzuar për ngjarjen dhe kanë kryer veprime për të penguar zbardhjen e saj.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, te “Ali Demi”, ku u plagos me armë zjarri një 15-vjeçar, kanë identifikuar autorin e dyshuar dhe disa shtetas të përfshirë në përfshirë në këtë rast.

Në vijim të veprimeve procedurale:

-u shpall në kërkim autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi A.N., 21 vjeç, për veprat penale  “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

-u shpall në kërkim L.M., 24 vjeç, administratori i picerisë ku ndodhi ngjarja, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;

-u arrestuan shtetasit F.B., 20 vjeç, A. H., 29 vjeç dhe K. B., 20 vjeç, punonjës të picerisë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Këta shtetas dyshohet se kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë hequr DVR-në e kamerës së sigurisë në piceri.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një shtetase 15 vjeçe, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.