Bota

Plagosje me armë zjarri në Kavajë, policia prangos autorin dhe bashkëpunëtorin!

Plagosi me armë zjarri një 39-vjeçar gjatë një konflikti për motive të dobëta, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, u identifikua, u lokalizua dhe u vu në pranga autori i dyshuar i ngjarjes. Në pranga ra edhe shtetasi që e ndihmoi të largohej.

Rreth orës 20:30 të datës 22 mars, në lagjen nr.6 të qytetit të Kavajës, shtetasi P.M., 42 vjeç, dyshohet se ka plagosur me pistoletë shtetasin me iniciale B. D., 39 vjeç. I plagosuri u transportua menjëherë drejt spitalit të Durrësit dhe sipas bluzave të bardha, fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Kavajës në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda organizuan punën për lokalizimin e autorit, i cili ishte larguar me shpejtësi nga vendi i krimit.

Pas rreth tre orësh kërkime dhe ndjekjeje operacionale, Policia arriti të lokalizonte autorin në lagjen 17/1 në Durrës. Në pranga ranë P. M., 42 vjeç autori i dyshuar banues në Kavajë, i cili akuzohet për plagosjen.

A.Ç., 35 vjeç, gjithashtu banues në Kavajë, i cili dyshohet se ka transportuar autorin me automjet drejt Durrësit për t’i shpëtuar arrestimit.

Gjatë kontrolleve të imtësishme përgjatë itinerarit të largimit, shërbimet e Policisë bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit (pistoletë), të cilën autori e kishte hedhur gjatë rrugës. Arma do t’i nënshtrohet ekspertizës balistike si provë kyçe për dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore.