Borxhi publik i vendit ka rënë në rreth 55% për vitin 2024 nga më shumë se 58% që ishin pritshmëritë, por Fondi Monetar Ndërkombëtar lajmëron se shpenzimet publike të vendit do të rriten së paku me 7% të PBB-së në dhjetë vitet e ardhshme (afërisht 1,7 mld euro).
Vitin e kaluar, shpenzimet publike të vendit ishin sa rreth 31% e PBB-së, por në dekadën në vijim do të duhen të jenë në mbi 38% e PBB-së, nisur nga nevojat më të larta të financimit të skemës së pensioneve dhe financimet më të larta në shëndetësi nga plakja e popullsisë.
Në konsultimin e fundit të marrëveshjes më Shqipërinë, stafi teknik i FMN-së projekton rritje të shpenzimeve buxhetore duke nisur që nga viti 2026. Zërat që do të ndikojnë më shumë janë shpenzimet për sigurime shoqërore, shpenzime më të mëdha për mirëmbajtjen e për digjitalizimin.
Përmirësimi i perspektivës së borxhit publik krahasuar me nenin IV të marrëveshjes së vitit 2023 me FMN-në reflekton performancën fiskale më të mirë nga sa pritej, forcim të menaxhimit të borxhit e rënie të shpenzimeve publike.
FMN-ja sugjeron se rritja e shpenzimeve publike duhet të shoqërohet me rritje të të ardhurave. Veçanërisht konsiderohet e rëndësishme reforma e pensioneve, e cila duhet të sigurojë një mbulim më të mirë të popullsisë me kontribute. Për të rritur të ardhurat për sigurimet shoqërore nevojiten reforma që përfshijnë uljen e informalitetit në tregun e punës, duke përfshirë sektorin bujqësor.
Analiza e stafit të FMN-së vlerësoi një rritje kumulative të nevojave për shpenzime publike me rreth 7% të PBB-së në 10 vitet e ardhshme e 10% të PBB-së deri në vitin 2050. Për të përmbushur nevojat për financim, Shqipëria duhet të zbatojë reforma ambicioze fiskale.
Aktualisht, vendi ynë ka raportin më të ulët të grumbullimit të taksave e tatimeve në raport me Rajonin dhe Europën. Strategjia afatmesme e të ardhurave 2014-2027 synon administrimin e ri të të ardhurave mbi pronat duke nisur që nga viti 2026 dhe një rishikim të taksave mbi pronat deri më 2027-ën.
Pala shqiptare pret që të ardhurat në raport me PBB-në të rriten me 2.5% të PBB-së deri më 2027-ën. Këto rezultate do të arrihen më shumë duke rritur administrimin (lufta ndaj informalitetit) çka pritet të kontribuojë me 2.3 pikë përqindje, por stafi i FMN-së beson se rritja e të ardhurave nga kjo masë nuk mund të jetë më shumë se 1.2-1.8.
Sipas ekspertëve të Fondit, autoritet fiskale në Shqipëri duhet të forcojnë masat e administrimit fiskal në sektorët e ndërtimit e të turizmit. Historikisht, këta dy sektorë janë karakterizuar nga nivele të larta informalitetit, por vitet e fundit rritja ekonomike e vendit po udhëhiqet nga këta dy sektorë që duhet të fiskalizohen./Monitor