Rajoni

“Plani Rama” për Kosovën, Shkupi zyrtar e vlerëson/Kryediplomati Osmani: Synon t’i nxjerrë palët nga ngujimi!

Maqedonia e Veriut po ndjek me vëmendjen zhvillimet në Kosovë, përfshirë rastin me tre policët kufitarë për të cilët Prishtina thotë se janë rrëmbyer nga forcat speciale serbe brenda territorit të Kosovës. Shkupi zyrtar u bën thirrje palëve, në veçanti Kosovës, të bashkëpunojnë ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, tha se bashkëpunimi me NATO-n, BE-në e SHBA-të është me rëndësi të madhe në kapërcimin e problemeve, bazuar në përvojën e Maqedonisë së Veriut.

Unë vetëm mund të ftoj autoritetet e Kosovës të jenë në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin euroatlantik për shkak se eksperienca jonë na tregon se bashkëpunimi, koordinimi e besimi te ata, asnjëherë nuk na ka dështuar e tradhtuar. Këshilla më e mirë që mund t’i japim Kosovës, si dhe të gjithëve në rajon është që të mbani raporte të ngushta me komunitetin euroatlantik, për shkak se kjo është e ardhmja e vetme e rajonit.

Osmani foli dhe për draft-propozimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke theksuar se bëhet fjalë për një “nismë të re”, për t’i lëvizur palët nga pozicionet e tyre.

Shefi i diplomacisë së Shkupit nuk e komentoi përmbajtjen e propozimit, se siç tha, janë disa tekste që synojnë uljen e tensioneve dhe arritjen e një zgjidhjeje, megjithëse Prishtina është ajo që do të vendosë se cila është më e mira për Kosovën.

Pa e komentuar këtë tekst, pasi ka dhe tekste të tjera të cilat i kemi parë, nuk pretendoj se zoti Rama tenton të imponojë zgjidhje. Ai tenton të krijojë shteg, një dalje nga ky ngujim. Edhe në emër të Maqedonisë së Veriut dhe në emër të OSBE-së, [si shtet kryesues i OSBE-së] përshëndes këtë nismë të kryeministrit të Shqipërisë, që mendoj se është shumë qëllimmirë, pa u futur në tekstin konkret për shkak se është një prej teksteve nga të cilat mund të nxirret më e mira. Por, autoritetet kosovare janë ato që vendosin se cila është më e mira për ta.

Me një veprim të kritikuar në Prishtinë, kryeministri Rama u ka propozuar planin presidentit të Francës, Emmanuel Macron e kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz.