Bota

Plazhet e Zbarkimit në Normandi pranë statusit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s!

Një nga vendet më simbolike të Luftës së Dytë Botërore mund të marrë së shpejti një nga vlerësimet më të rëndësishme ndërkombëtare. Plazhet e Zbarkimit në Normandi, ku më 6 qershor 1944 u zhvillua operacioni historik “D-Day”, ndodhen në fazën vendimtare të procesit për t’u përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Vendimi pritet të merret gjatë sesionit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, që zhvillohet në Busan të Koresë së Jugut, mes datave 24 dhe 27 korrik.

Kandidatura është rezultat i një përpjekjeje që ka zgjatur gati dy dekada. Nëse miratohet, plazhet historike do t’i bashkohen 54 monumenteve dhe vendeve franceze që tashmë mbrohen nga UNESCO, duke u njohur si pasuri me vlerë të jashtëzakonshme universale.

Zona e propozuar përfshin pesë plazhet ku zbarkuan forcat aleate – Utah, Omaha, Gold, Juno dhe Sword – si dhe pika të tjera historike si Pointe du Hoc, porti artificial i Arromanches dhe disa memoriale e varreza ushtarake. Më 6 qershor 1944, mbi 150 mijë ushtarë aleatë zbarkuan në brigjet e Normandisë në operacionin më të madh amfib në histori, një moment që shënoi fillimin e çlirimit të Evropës Perëndimore nga pushtimi nazist.

Përveç vlerës simbolike dhe historike, statusi i UNESCO-s do të ndihmonte në mbrojtjen e këtij trashëgimie nga erozioni bregdetar dhe ndryshimet klimatike, të cilat po kërcënojnë gjithnjë e më shumë bunkerët, fortifikimet dhe gjurmët e betejës. Gjithashtu, pritet të rrisë fluksin turistik dhe të forcojë ekonominë lokale, duke e bërë Normandinë një destinacion edhe më të rëndësishëm për vizitorët nga e gjithë bota.

Në pritje të vendimit përfundimtar, autoritetet franceze dhe organizatat e trashëgimisë kulturore shpresojnë se njohja nga UNESCO do të sigurojë ruajtjen afatgjatë të një prej vendeve më domethënëse të historisë moderne. Për miliona njerëz, plazhet e Normandisë mbeten jo vetëm simbol i sakrificës dhe lirisë, por edhe një kujtesë e përhershme e rëndësisë së paqes.