Një ishull privat në brigjet veriperëndimore të Skocisë është nxjerrë në shitje për rreth 405 mijë euro. Prona ka tërhequr vëmendjen e tregut imobiliar për kombinimin e çmimit relativisht të ulët me natyrën e paprekur dhe privatësinë që ofron. Bëhet fjalë për ishullin Mullagrach, pjesë e arkipelagut Summer Isles, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 35 hektarësh. Ishulli mund të arrihet vetëm me varkë nga portet e afërta ose me helikopter.
Në ishull ndodhet vetëm një kabinë prej druri, e ndërtuar për t’u integruar me mjedisin natyror. Banesa është e pajisur me dy krevate, kuzhinë dhe ambient ngrënieje, sobë me dru, si dhe panele diellore që sigurojnë energjinë elektrike. Për më tepër, disponon sistem për mbledhjen e ujit të shiut dhe tualet ekologjik, ndërsa uji i pijshëm duhet të transportohet nga kontinenti.
Përveç banesës, Mullagrach ofron një peizazh të pasur me plazhe të izoluara, shpella, shkëmbinj dhe gjire të vegjël. Zona është habitat për lundërza, foka, pata të egra, kormoranë dhe shpendë të tjerë detarë, ndërsa në ujërat përreth mund të shihen edhe delfinë apo balena. Ishulli ndodhet brenda një gjeoparku të njohur nga UNESCO, çka i shton edhe më shumë vlerën natyrore dhe ekologjike. Agjencia që e menaxhon shitjen e përshkruan pronën si një destinacion ideal për ata që kërkojnë izolim të plotë, qetësi dhe një jetë në mes të natyrës, larg zhurmës së qytetit dhe pa fqinjë.