Tech Top Tech - News

Po bëjnë shumë ‘zhurmë’, njihuni me risitë dhe inovacionet në botën e teknologjisë!

Ky episod i “Top Tech” me Mateo Kadriun trajton gjithçka që po bën zhurmë: nga Samsung Galaxy Unpacked 2025 dhe inovacionet e reja të DJI, te çmenduria e memecoin-eve dhe si po bëhen njerëzit milionerë.

Trump Coin

Trump sërish është në qendër të vëmendjes, por këtë herë jo me zgjedhje apo debate. Ai ka lançuar kriptomonedhën e tij, Trump Coin, dhe interneti po çmendet! Vetëm disa ditë para inaugurimit të tij më 20 janar 2025, kjo monedhë ka shpërthyer në vlerë. Njerëzit janë duke spekuluar nëse do të jetë një hit i vërtetë apo thjesht një balonë tjetër e mbushur me premtime të mëdha.

Trump Coin po marketohet si një simbol i “patriotizmit ekonomik”, por kritikët thonë se është më shumë një tjetër përpjekje për të përfituar nga besnikët e tij. Kjo kriptomonedhë po tërheq investitorë të rinj, ndonëse disa ekspertë paralajmërojnë për rreziqet e saj. Ajo mund të shndërrohet në një sukses global ose të përfundojë si një meme i shtrenjtë.

Nëse mendoni të investoni, kini parasysh: tregu i kriptomonedhave është i paparashikueshëm, dhe monedha që sot duket si ar, nesër mund të jetë vetëm një kujtim. Kjo vlen sidomos për memecoins. Në fund të fundit, kjo është një lojë ku jo gjithmonë fiton vetëm Trump – ndonjëherë fiton dhe tregu!

Tiktok Ban

A ka diçka më dramatike se politika dhe TikTok bashkë? Pas shumë muajsh me thashetheme dhe debate, Trump, për habinë e të gjithëve, ka shtyrë ndalimin e TikTok në SHBA për 75 ditë. Dhe jo, nuk është rastësi që kjo ndodhi pas inaugurimit të tij dhe takimit me CEO-n e TikTok-ut në event. Në këtë pikë, duket më shumë si një skenë nga një dramë politike sesa një vendim i qeverisë.

Kështu, për momentin, TikTok është i sigurt në SHBA – të paktën deri në prill. Arsyeja? Trump pretendon se dëshiron një zgjidhje të drejtë për të mbrojtur të dhënat e qytetarëve amerikanë dhe për të “kontrolluar ndikimin kinez”. Por të gjithë e dimë se ndikimi i TikTok-ut është më i thellë se kaq. Miliona përdorues, përfshirë influencerat, kanë përfituar nga kjo platformë dhe ndalimi i tij do të ishte një goditje për kulturën e re dixhitale.

Çfarë do të ndodhë më tej? Për momentin, TikTok është në gjendje ‘standby’, dhe përdoruesit duhet të kënaqen me videot e tyre të preferuara… por mos u habisni nëse një tjetër kthesë dramatike ndodh para afatit.

Nintendo Switch 2

Ka gjithmonë vend për përmirësime. Nintendo Switch 2 është si versioni i zvogëluar i një Xbox – i shpejtë, dhe gati të na marrë kohën… përsëri. Ekrani OLED është shumë i mprehtë dhe procesori i ri është unik– aq i fuqishëm sa që tashmë do të mund të luajmë lojëra të mëdha pa bërë “freeze” në momentin më të rëndësishëm. Bateria? Tani mund të harrojmë karikuesin për ca orë.

Loja ekskluzive e parë e Mario-s në Switch 2 thuhet se është aq epike sa do të na bëjë të harrojmë gjithçka. Po flasim për një pajisje që mund të ndryshojë përjetësisht mënyrën si luajmë. 

Samsung Unpacked

Samsung Galaxy Unpacked 2025 ishte një spektakël teknologjik që bëri të gjithë botën të ndalonte për një moment. Pritshmëritë ishin të larta, dhe Samsung, si gjithmonë, nuk na zhgënjeu. Ylli i eventit ishte Galaxy S25, i cili vjen me një procesor të ri, Exynos 2500, aq të fuqishëm sa duket sikur mund të menaxhojë edhe një raketë hapësinore. Ekrani OLED 6.8 inç është më i shndritshëm dhe më i mprehtë se kurrë, ndërsa bateria 5000mAh premton të zgjasë për të gjitha ato ditë të gjata që harrojmë ta karikojmë. Dhe kamera? Ideale për të kapur detaje që as sytë tanë nuk i shohin.

Ndërkohë, Galaxy S25 Ultra është krijuar për ata që duan më shumë fuqi, më shumë hapësirë dhe një S Pen që bën gjithçka. Gjithashtu shtuan një kamer të re UltraWide me një kualitet 50 MegaPixel. Samsung gjithashtu prezantoi përditësime për Galaxy Watch dhe aksesorët e rinj për ekosistemin Galaxy, duke e bërë çdo gjë më të ndërlidhur dhe më të zgjuar. Duket sikur kjo kompani ka menduar të rivendosë standardet e industrisë.

Trump

Donald Trump është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, dhe kriptovalutat po reagojnë sikur janë në një “roller coaster” emocionues. Përpara inaugurimit të tij, Bitcoin arriti rekordin prej $109,000. Por sapo Trump mori detyrën, vlera ra pak, stabilizuar rreth $102,000.

Trump, gjatë fushatës, premtoi të shndërrojë Amerikën në “kryeqytetin e kriptos”, por deri tani, ditët e para të tij në zyrë nuk përfshijnë ndonjë urdhër të bujshëm pro-kripto. Megjithatë, ai ka mbajtur gjallë “show-in” duke lançuar monedhat $TRUMP dhe $MELANIA, të cilat fillimisht fluturuan në vlerë. Por si çdo meme coin, rënia ishte po aq dramatike sa ngjitja.

Në anën tjetër, Trump ka vendosur njerëz pro-kripto në pozita të larta, duke i dhënë shpresë investitorëve për një mjedis më miqësor ndaj aseteve dixhitale. Por, e dini si shkon kjo punë: tregu i kriptove është aq i paparashikueshëm sa vetë Trump.

Microbots

Tani kemi milingonat robotike! Shkencëtarët koreanë kanë krijuar një tufë të vogël robotësh që punojnë së bashku për të zhvendosur objekte të rënda. Mendoni për një grup milingonash që bashkëpunojnë, por në vend të tyre kemi mikro-robotë me një qëllim: të tregojnë se madhësia nuk ka rëndësi kur keni ekipin e duhur!

Këta robotë të vegjël (ose heronj të së ardhmes) arrijnë të zhvendosin objekte që janë disa herë më të rënda se vetë ata. Dhe po, këta robotë janë si një skuadër e Avengers në miniaturë, por në vend që të luftojnë kundër të keqes, do të na ndihmojnë të zhvendosim mobiliet… ose ndoshta të ndërtojmë qytete të tëra.

Shkencëtarët thonë se kjo teknologji mund të përdoret për gjithçka, nga ndërtimi deri te misionet në hapësirë.

“Edits” nga Meta

Meta sapo ka lançuar Edits, një aplikacion të ri që është praktikisht CapCut, por me logon e Instagram-it. Aplikacioni premton të bëjë çdo përdorues një profesionist të montazhit video. Me Edits, mund të shtosh efekte, filtra dhe muzikë në videot e tua – gjithçka që të ndihesh sikur po bën trailerin e një filmi në Hollywood… 

Kjo është arma sekrete e Metës për të të mbajtur brenda ekosistemit të saj… dhe ndoshta për të siguruar që algoritmi yt të marrë më shumë pëlqime sesa konkurrenti yt. Pra, nëse ke ëndërruar të bëhesh një “content creator”, tani është momenti. Me Edits, çdo video është një kryevepër – ose të paktën një video që s’do të të vijë turp ta postosh.

Memecoin-et: Si po bëhen njerëzit milionerë me shaka të internetit

Imagjino të blesh një monedhë dixhitale me një qen të vizatuar dhe papritmas je milioner. Kjo është fuqia e memecoin-eve! Janë kriptomonedha të frymëzuara nga memet e internetit që fillojnë si shaka dhe ti përfundon duke blerë një vilë me pishinë (gjithnjë nëse je me fat).

Çfarë janë memecoin-et? Mendoni për Dogecoin, yllin e parë të kësaj loje, ose Shiba Inu, “konkurrentin e çmendur”. Këto monedha nuk kanë ndonjë funksion të madh teknologjik, por kanë diçka më të fuqishme: komunitete fanatike dhe meme fantastike. Nëse diçka bën që njerëzit të qeshin dhe është “trendy”, atëherë është e destinuar për sukses… dhe disa miliona dollarë.

Si po bëhen njerëzit të pasur? Formula është e thjeshtë: blen një memecoin për një thërrime centësh, dhe kur ajo të shkojë në maksimum, ti i shet dhe gëzohesh nga fitimet që ke bërë. Por, kujdes! Për çdo milioner të Dogecoin-it, ka dhjetëra që përfundojnë duke mbajtur një “monedhë meme” të pavlefshme si suvenir.

Pra, memecoin-et janë shumë të rrezikshme për të humbur para, por mund të bësh shumë fitime nësë tregohesh i zgjuar.

DJI Flip – Droni që të bën të ndihesh si në një film aksion

DJI sapo prezantoi një dron që është më shumë se një pajisje fluturuese! DJI Flip është droni i ri që po ndryshon gjithçka. Ky dron është projektuar për të kryer lëvizje akrobatike dhe filmime që të lënë pa fjalë, ndërsa ti ndihesh sikur po xhiron një blockbuster Hollywood-i.

Me një kamer 4K dhe stabilizim të shkëlqyer, Flip të lejon të kapësh pamje që më parë dukeshin të pamundura. Por, presim të mësojmë më shumë për tricks që premton të bëjë. Por nuk mbaron me kaq: Flip është edhe më kompakt se modelet e tjera, që do të thotë se mund ta marrësh me vete kudo – nga shëtitjet në mal deri te dasmat ku do i bësh të gjithë xhelozë.

Pra, nëse ke ëndërruar të kapësh pamje spektakolare nga lart ndërsa ndihesh si një regjisor i famshëm, DJI Flip është perfekt për ty.