Live From Tirana

“Po blejnë dhe kamera trupi tani…”/Arjan Curi: Njerëz me dy celularë për të bërë video selfie në protestë…

Analisti i njohur, Arjan Curi, ka qenë i ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ku ka komentuar protestën që po zhvillohet në Tiranë kundër projektit të Zvërnecit. Jo vetëm kaq, pasi ai foli edhe në lidhje me qëndrimin që mban kryeministri i vendit, Edi Rama.

Si i komenton protestuesit?

Ka njerëz që vetëm filmojnë, vetëm filmohen, ose bëjnë video selfie. Kur them video selfie, nënkuptoj që japin edhe mesazhe dhe ndihen të rëndësishëm. Një celular e kanë të gjithë, por unë pashë dhe vajza që kishin dy celularë. Me sa më tha një studenti im, që ka një dyqan elektroshtëpiak, kanë kërkuar të blejnë edhe kamera trupi, që të jenë gjithë kohës live. Se ti mund të thuash, si bëhet një “Big Brother” pa kamera. Gjenerata Z përveç shumë të mirave që ka, ka dhe që janë shumë të lidhur me rrjetet sociale dhe ata nuk rrinë dot pa vëmendje. E duan vëmendjen, e duan produktin. Unë po i ngacmoj protestuesit që të mos e mbajnë këtu ku janë gjënë, se po ta mbajnë këtu ku janë, nuk i prishin punë askujt. Mund të kënaqen vetë, mund të mbajnë qëndrime për çdo gjë në jetë. Doli njëri që tha “babai im nuk ka mend”, apo një tjetër që tha “faleminderit që pankartën time e bëtë virale”. Pra e kanë mendjen tek viraliteti. Në këtë kurth i fut Rama, rrini aty se do bëheni viralë i thotë. Famën tre minutëshe e duan të gjithë, madje edhe të huajt kanë vajtur. Është një influencere Mbarime që është gjithë kohën në protestë dhe e filmojnë njerëzit. Unë flas me simbolika, njerëzit mund ta gjejnë. Ajo thotë që po bojkoton mediat, ndërkohë që gjithë kohës e ka mendjen tek media. Ka të tjerë si Urime, që e filmojnë veten para se të flasin dhe mbarojnë filmimin ndërkohë që janë ende duke folur me idenë që ka gjëra të tjera akoma. Ka dhe hipokritë të mëdhenj në atë protestë, për shembull këta politikanët e rinj, Lapaj, Qori dhe Shehaj, të cilët për vete nuk mblodhën dot as 10 protestues. Dhe pozicionohen në mënyrë të tillë në videot e tyre, që të duket sikur protestuesit ndjekin këta. Një tjetër hipokrite e madhe është një kolegia jonë që nuk po ia përmend emrin për të mos ta sulmuar, e cila shkoi aty dhe i frynte në vesh protestuesve dhe i thonte që bërtisni bojkotoni mediat. Ti nuk mund të thuash një gjë që nuk e bën vetë. Nëse unë do thoja që bojkotoni mediat, nga sot nuk do dilja më në media, do ikja.