Tadej Pogacar vazhdon të vendosë standarde të reja në çiklizmin botëror. Çiklisti slloven fitoi për herë të pestë Turin e Francës, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një nga sportistët më dominues të epokës moderne.
Menjëherë pas triumfit në Paris, Pogaçar u ndal përpara gazetarëve të MARCA-s dhe pozoi me kopertinën e gazetës, ku pak ditë më parë kishte deklaruar se fitimi i Turit të pestë ishte një nga objektivat më të mëdhenj të karrierës së tij. Duke buzëqeshur, ai pa titullin, ngriti dorën me pesë gishta dhe tha vetëm një fjalë: “Done” (“U krye”). Në konferencën për shtyp, Pogaçar pranoi se hyrja në klubin e fituesve me pesë Ture ishte një objektiv i rëndësishëm. Megjithatë, ai e bëri të qartë se nuk dëshiron të ndalet këtu.
“Do të rikthehem vitin e ardhshëm për të provuar ta fitoj sërish”, deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se synimi i radhës është Turi i gjashtë.
Sa i përket pjesëmarrjes në Vueltën e Spanjës, kampioni tha se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, ndërsa konfirmoi se një tjetër objektiv i madh mbetet gara legjendare Paris– Roubaix, e vetmja klasike madhore që ende nuk ka arritur ta fitojë. Duke u kthyer te Turi, momentet më emocionuese nuk ishin fitoret personale për Pogacarin. Ai veçoi mbështetjen që i dha shokut të skuadrës, Isak del Toro, i cili në debutimin e tij përfundoi i treti në renditjen e përgjithshme dhe fitoi fanellën e bardhë të çiklistit më të mirë të ri.
“Kur kalova vijën e finishit pranë Isakut në Alpe d’Huez dhe e pashë të fitonte fanellën e bardhë, ishte një nga emocionet më të forta të këtij Turi”, tha Pogaçar.
Edhe Del Toro nuk kurseu fjalët e mira për kampionin slloven. Ai u shpreh se do të ishte plotësisht i kënaqur nëse gjatë karrierës së tij do të arrinte qoftë edhe një për qind të suksesit të Pogaçarit, duke e cilësuar atë një frymëzim dhe një shok skuadre të jashtëzakonshëm.
Një gjest domethënës ndodhi edhe pas konferencës për shtyp. Edhe pse ishte planifikuar të largoheshin me automjete të ndryshme, Pogaçar e ftoi Del Toron të udhëtonte me të drejt hotelit të skuadrës. Ishte një veprim i thjeshtë, por simbolik, që tregoi marrëdhënien e fortë mes liderit dhe talentit të ri meksikan. Triumfi i pestë i Tadej Pogacarit nuk do të mbahet mend vetëm për dominimin në rrugët e Francës, por edhe për karakterin, lidershipin dhe respektin që ai tregoi ndaj ekipit. Ndërsa Parisi festonte fituesin e ri të Turit të Francës, slloveni tashmë kishte kthyer vështrimin drejt sfidave të ardhshme, me synimin për të vazhduar të shkruajë histori në çiklizmin botëror.