Aktualitet Sport

Pogradeci me Formula 1 të ujit/Kryeministri Rama takim me organizatorët e garës botërore!

Shqipëria do të hyjë në garat botërore të ujit 2024 me liqenin e Pogradecit. Kryeministri Rama njoftoi se korrikun e vitit të ardhshëm do të zhvillohet gara botërore e ujit, Formula 1 në qytetin e Pogradecit. 43 skuadra nga e gjithë bota pritet ta kthejnë këtë qytet në kryeqendrën botërore të sporteve për 7 ditë. Gjithashtu, shefi i qeverisë bëri të ditur se pas pak vitesh, në Elbasan do të zhvillohet edhe Formula 1 me makina.

Në rrjetet sociale, Rama shkroi:

Me Formula 1 të garave botërore të ujit, e cila vjen në Pogradec në korrik 2024, si pararendëse e Formula 1 në garat me makina, që do të vijë në Elbasan pas pak vitesh, kur të kemi përfunduar cirkuitin e kaluar të gjitha testet e kërkuara, ju uroj një ditë të mbarë.

43 skuadra nga e gjithë bota do ta kthejnë Pogradecin në kryeqendrën botërore të sporteve ujore për 7 ditë, sepse Shqipëria e Turistike tanimë është ngjitur në një nivel të ri.

Garat botërore të ujit apo Pogradec Grand Prix 2024 pritet të zhvillohen në datat 2-7 korrik 2024, si një aktivitet i përmasave të mëdha gjatë sezonit të ardhshëm turistik.

Kryeministri Edi Rama sot zhvilloi një takim me organizatorët e FORMULA 1H2O. Rama bëri të ditur se në këtë takim u diskutua për garat botërore të ujit 2024 kur Shqipëria do të hyjë me liqenin e Pogradecit në hartën e këtyre garave, bashkë me Italinë, Francën, Spanjën, Dubain, Indonezinë, Kinën e me radhë.

Gara botërore e ujit që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Pogradec pritet të tërheqë akoma edhe më shumë vizitorë në qytetin e bukur liqenor, në juglindje të vendit.