Polonia i dha fund prodhimit të veshjeve prej gëzofi. Presidenti Karol Nawrocki nënshkroi ligjin që ndalon përdorimin e tij, duke e bërë Poloninë shtetin e 18-të anëtar të Bashkimit Europian që i jep fund një praktike që rezultonte çdo vit në vdekjen e afërsisht tre milion vizonëve, dhelprave, qenve, rakunëve e çinçilëve.
Vendimi godet në zemër të një sektori, në të cilin Polonia ishte prodhuesja kryesore eeropiane dhe e dyta më e madhe në nivel global, e tejkaluar vetëm nga Kina. Sipas të dhënave, 281 ferma ende operonin në të gjithë vendin, duke përfshirë 169 vizonësh, 37 dhelprash, 11 ferma për qentë e rakunët dhe 64 çinçilash.
Nënshkrimi i presidentit erdhi pas miratimit të ligjit nga Sejmi, Dhoma e Ulët e parlamentit polak dhe Senati muajin e kaluar, falë një marrëveshjeje ndërpartiake. I vetmi kundërshtim erdhi nga partia e ekstremit të djathtë “Konfederacja”, siç raporton “Notes from Poland”.
Projektligji përcakton një ndalim të menjëhershëm të fermave të reja dhe që objektet ekzistuese duhet të ndërpresin veprimtarinë deri më 31 dhjetor 2033.
Një sistem kompensimi gradual do të stimulojë mbylljet e parakohshme. Ata që braktisin aktivitetin e tyre deri më 1 janar 2027 do të marrin deri në 25% të të ardhurave mesatare për vitet 2020-2024.
Rënia e industrisë së gëzofit në Poloni, kishte filluar prej kohësh. Sipas të dhënave të cituara nga “Business of Fashion”, eksportet e gëzofit të vizonit nga Polonia ranë ndjeshëm nga 402 milion euro në vitin 2015, në vetëm 71 milion më 2024-ën.
Numri i fermave të vizonit në të gjithë vendin kishte rënë nga 810 në vitin 2015, në 281 aktualisht. Sipas sondazheve, 66% e polakëve e mbështesin mbështesin vendimin e qeverisë polake e më të lumturit janë aktivistët për të drejtat e kafshëve!