Pesë persona gjetën vdekjen e dhjetëra të tjerë mbetën pa energji elektrike në Ukrainë, pas sulmeve intensive ruse me dronë e raketa gjatë natës. Kjo u bë e ditur nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ushtria polake konfirmoi se ngriti avionët luftarakë në ajër për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore të Polonisë, që gjendet në kufi me Ukrainën. Referuar njoftimit të ushtrisë, u angazhuan edhe aeroplanë të aleatëve të NATO-s.
Katër anëtarë të një familjeje, përfshirë një vajzë 15-vjeçare u vranë nga një sulm në fshatin Lapaivka kur sulmet u shtrinë deri në qytetin perëndimor të Lvivit. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se kreu me sukses goditje “masive” në shënjestrat ushtarake e infrastrukturore të Ukrainës. Një person humbi jetën në Zaporizhja. Zelensky deklaroi se Rusia hodhi mbi 50 raketa e 500 dronë.
Në Lviv janë regjistruar sulme disa orëshe, çka çoi në pezullim të shërbimeve të transportit publik dhe ndalim të furnizimeve me energji. Sipas Zelensky-t, natën e djeshme pati sulme edhe në rajone të tjera, përfshirë Ivano-Frankivskun, Çernihivin, Sumin, Harkivin, Hersonin e Odesën.
Neve na duhet më shumë mbrojtje dhe zbatim më i shpejtë i të gjitha marrëveshjeve për mbrojtje, sidomos për mbrojtje ajrore, për të privuar këtë terror ajror në çdo mënyrë. Një armëpushim i njëanshëm në qiej është i mundur dhe është saktësisht ajo çka do të mund të hapte rrugën për diplomaci të vërtetë.
Sulmi shënohet në një kohë kur perspektiva për paqe duket më e largët se kurrë, ndonëse lufta po shënon rreth katër vjet prej kohës së nisjes. Përpjekjet amerikane për t’i dhënë fund luftës kanë treguar pak rezultat, pasi pozicionet e Ukrainës dhe Rusisë janë shumë të ndryshme.
Presidenti amerikan, Donald Trump nuk ka arritur deri më tani që të organizojë një samit trepalësh apo një takim ballë për ballë mes presidentëve të Rusisë dhe Ukrainës, pasi Moska zyrtare po synon që t’iu shmanget takimeve direkte. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.