Krateri i famshëm në Darvaza, i njohur si “Porta e Ferrit”, vazhdon të digjet që prej vitit 1971, kur një shpim aksidental i gjeologëve sovjetikë çoi në shembjen e tokës dhe çlirimin e një sasi të madhe gazi. Me qëllim shmangien e një katastrofe shëndetësore nga gazi toksik, ata i vunë flakën vendit, duke supozuar se zjarri do të shuhej për disa ditë. Sot, flakët ende nuk janë shuar. Në vitin 2022, ish-presidenti Gurbanguly Berdymukhamedov dha urdhër për shuarjen e kraterit, duke theksuar se emetimet e gazit dëmtojnë mjedisin dhe shëndetin e popullsisë. Për më tepër, ai nënvizoi se humbja e gazit përbën një dëm ekonomik për vendin, i cili mbështetet gjerësisht te eksporti i gazit natyror.
Specialistët e kompanisë shtetërore Turkmengaz thonë se struktura gjeologjike e nëntokës në Darvaza është komplekse, me shtresa të shumta gazi të ndërthurura me ujë, që ushqejnë vazhdimisht flakët. Ndryshe nga një depo e zakonshme gazi që shterohet, ky formacion vazhdon të lëshojë gaz në mënyrë të qëndrueshme. Sipas deklaratave të Turkmengaz, intensiteti i zjarrit është ulur mbi tre herë dhe kontrolli mbi fluksin e gazit është përmirësuar. Megjithatë, të dhënat mbeten të pakta dhe të paverifikueshme, ndërsa zona është e mbyllur për publikun.
Pavarësisht shqetësimeve mjedisore dhe përpjekjeve për shuarjen e zjarrit, Darvaza është kthyer në një nga atraksionet e rralla turistike të Turkmenistanit. Turistë nga brenda dhe jashtë vendit udhëtojnë me orë të tëra për të parë këtë fenomen të pazakontë natyror. Megjithatë, intensiteti më i ulët i flakëve po zhgënjen vizitorët, dhe agjencitë turistike vendase janë të shqetësuara për ndikimin që një shuarje e plotë do të kishte në industrinë e tyre. Krateri në Darvaza mbetet sot një simbol i trashëgimisë sovjetike, një burim i vazhdueshëm ndotjeje, por edhe një dritare e rrallë për tërheqjen e vizitorëve në një nga vendet më të mbyllura dhe të izoluara të botës. Dilema mes ruajtjes së mjedisit dhe përfitimeve ekonomike nga turizmi dhe burimet natyrore mbetet e hapur.