Art & Kulturë

“Porta e Shtatë” nga Klajdi Thaçi. Kritikë!

Romani i tretë i Klajdi Thaçit pas “Sfidat e një humani” dhe “Në mbretërinë e së vërtetës” është një histori distopike e vendosur në fillim të viteve 5000 kur shoqëritë pas të gjitha zbulimeve teknologjike duan të kthehen tek vlerat e dikurshme, ato që sipas Thaçi-t e bëjnë njeriun njeri. Koha rifillon nga e para, dhe bashkë me të njeriu kërkon të kthehet në antikitet.

7 porta për t’u çelur nga 12 personazhe në 21 ditë. Tre ligje dhe direktivat e një ‘mjeshtri’ për t’u zbatuar. Vetëm njëri prej tyre do të arrijë të mbijetojë deri në fund, duke marrë dhe statusin e Banorit të Dritës. Intriga, pasion, mister, rrëfime intime, dhunti përtej së zakonshmes, zhdukje pa paralajmërim. Një revolucion që nis në Kyoto të Japonisë për t’u përhapur më tej në të gjithë botën, me seli qendrore Tebën në Egjipt.

“Gjithçka nga e para”, “e ardhmja është antikiteti”, janë parullat që do të sjellin përmbysjen e një sistemi dhe lindjen e një epoke të re.  Çfarë do të ndodhë në vitin 333? Sa prej kandidatëve të izoluar do të thyejnë rregullat që u janë vendosur? Deri ku do të shkojnë ata me veprimet e tyre për të siguruar fitoren dhe cili do të jetë, në fund, fati i fituesit? Në këtë udhëtim plot të papritura, me dallgëzime nga e shkuara drejt së ardhmes, do t’ju lindin vazhdimisht pikëpyetje, që do t’ju shoqërojnë deri në përfundim të tij. Një histori sa jokonvencionale e misterioze, aq edhe e thellë e me mesazhe që të bëjnë të reflektosh.

Gjatë kohës së Big Brother një libër më vjen në zyrë me një shënim nga autori:

“Në Big Brother fituesi nuk dihet ende, ndërsa në faqet e këtij libri ai është përzgjedhur tashme dhe të ftoj që ta zbulosh”…

Pak kohë më pas Klajdi Thaçi më shkruan në instagram për të më pyetur si t’u duk libri, i thashë që e kisha në rradhë për ta lexuar. Dhe i erdhi koha.

Romani i shkurtër i Thaçit, i treti i botuar prej tij, goxha i mediatizuar në intervista në mediume të ndryshme është një histori futuristike mbi njeriun, ndjesitë, marrëdhëniet, raportin me të shkuarën e të ardhmen si edhe raportin me frikën, humbjen dhe dashurinë. 12 Personazhe janë ‘përzgjedhur’ nga një entitet më i lartë për të qënë pjesë e një ‘loje’ në të cilën do të duhet të përballen me veten dhe të tjerët për të hapur shtatë dyer që përfaqësojnë elemente të ndryshme natyrore, vetëm njëri syresh do të jetë ‘Banori i Dritës’ ai që do të gëzojë një vetdijësi të jashtëzakonshme për t’i ‘sherbyer’ njerëzimit në një kastë të re dhe në në kohë kur njerëzit kanë vendosur ta fillojnë edhe një herë nga e para.

Në vitin 5034, pra mbi 3000 vjet nga sot, dita e kiametit nuk ka ardhur, ama zhvillimet teknologjike kanë bërë atë që njerëzit nuk janë më njerëz, por thjesht hije të dikurshme të asaj që ishin për shkak të zhdukjes së vlerave që e bëjnë njeriun-njeri. Ndërkaq çdo zhvillim teknologjik në 30 shekuj nuk e ka ndryshuar njeriun, as nga pamja as nga problemet e tij. Këto të fundit janë të ngjashme me atë çfarë [thuajse] çdo individ kalon sot: Pranimi nga prindërit dhe shoqëria, Dashuritë e dështuara, Abuzimet seksuale, e të tjera të ngjashme, të bëjnë të mendosh se nëse në dy shekujt e fundit zhvillimet kanë ndryshuar kryekëput mënyrën tonë të jetesës, vlerat tona, besimet dhe qëndrimet, 30 të tjerat që do të vijnë – na kanë lënë njësoj. Pra as kemi zbuluar ilaçin e përjetësisë, as kemi transferuar vetëdijen tonë në një server, as kemi pushtuar planete të reja. Jemi sërish ne të varfrit.

Historia Distopike e autorit vijon me një lojë që është vendosur në vitin 333, mbas rinisjes nga e para për njeriun, i cili tashmë ka ndaluar internetin dhe çdo pajisje që largonte atë fizikisht nga njëri tjetri (hologramën psh). Loja ka për qëllim të ballafaqojë 12 të përzgjedhur në 21 ditë me të vërtetën e tyre për të mundur të shkojnë në një shkallë më të lartë shpirtërore – nuk kuptohet fort mirë se cili është shpërblimi i atij që fiton. Ndryshe nga ‘Squid Game’, asgjë fizike nuk ka në këtë lojë, lidhja me Big Brother është se ata duhet të tregojnë të vërtetat e tyre që dyert të hapen, apo të pranojnë ‘mëkatet’, pra jo aq strategji apo zgjuarsi, një lloj inteligjence emocionale apo shpirtërore kërkohet. Big Brother-i i “Porta e Shtatë” flet dhe quhet Mjeshtri – edhe pse nuk lexojmë asgjë mjeshtërore prej tij.

Personazhet djem dhe vajza, me histori të ndryshme personale do të bëjnë shpesh rrëfime alla Alkoolistët Anonim, ku do të tregojnë pse-të e atyre ngjarjeve që i kanë ndikuar dhe mbase sjellë në këtë lojë – një terapi me përfitime. Trego Trego se do të hapet një derë. (Një udhëzim për terapistët kjo).

Në një intervistë në Wake Up – Thaçi tha se autorja e tij e preferuar është Ayan Rand (The Atlas Shrugged, The Fountainhead) dhe dëshira e tij për të krijuar një realitet distopik është një përpjekje e guximshme por që vjen e thatë dhe pa përbërës (Romani i tij nuk zgjat as sa fjalimi i famshëm i John Galt në radio). Historitë e personazheve janë skematike dhe nuk kanë një përkim logjik mes numrave dhe ndodhive. Edhe nëse instiktet bazike të njeriut mund të jenë të njëjtat e antikitetit – ku natyrisht dëshira për dashuri, fizike, të vërtetë mund të ngelet aksioma që bashkon çdo kohë, nuk mundet të ndërtosh një realitet ku 3 mijëvjeçarë njerëzit i ka lënë akoma me drama të llojit – tradhëtia e gruas (në 10 vitet e fundit ka një rritje 3000% të çifteve që po jetojnë marrëdhenie të hapura – jo për ta mbrojtur, por për të thënë se çfarë sjell koha).

“Porta e Shtatë” mbron teorinë se lidhja me krijuesin, lidhja me të vërtetën (jo virtualen) është gjëja kryesore për ta mbajtur njerëzimin në mos-lajthitje. Por si i thirrën mendjes njerëzia, këtë se kuptojmë – si e kuptoi njeriu që Chat Gpt i 5034 pasi e ka përdorur për tre mijë e kusur vjet ka më pak rëndësi se mami, babi, shoku apo partnerja.

Ama një gjë libri e bën me siguri, bëhet temë diskutimi në grupe familjare apo shoqërore, kjo dhe që lexohet shpejt.