Krijuesi i serialit fenomen “Squid Game”, Hwang Dong-hyuk, po përballet me pasoja të rënda fizike si rezultat i stresit të jashtëzakonshëm që po përjeton gjatë përgatitjeve për sezonin e tretë – i cili do të jetë edhe sezoni i fundit i serialit të suksesshëm.
Në një intervistë të fundit për “Entertainment Weekly”, regjisori dhe skenaristi koreano-jugor zbuloi se ka humbur dy dhëmbë gjatë punës intensive për sezonin final.
Me një dozë humori të hidhur, ai shtoi se ende nuk i ka zëvendësuar, duke theksuar intensitetin e përfshirjes së tij në çdo detaj të projektit.
Kjo nuk është hera e parë që Hwang përballet me pasoja fizike nga puna e tij. Ai kishte rrëfyer më herët se gjatë xhirimeve të sezonit të parë, stresi i kishte shkaktuar humbjen e plot tetë dhëmbëve.
Pas suksesit të jashtëzakonshëm ndërkombëtar që arriti me “Squid Game”, seriali më i ndjekur në historinë e Netflix dhe fitues i disa çmimeve prestigjioze, Hwang ka mbajtur kontroll të plotë krijues mbi sezonin përmbyllës, duke shkruar dhe drejtuar vetë çdo episod.
Sezoni i tretë dhe i fundit i “Squid Game” pritet të publikohet më 27 qershor 2025, ndërsa pritshmëritë e fansave janë më të larta se kurrë.
Megjithatë, përkushtimi i Hwang ndaj projektit ka ardhur me një çmim të lartë personal – jo vetëm në aspektin emocional, por edhe fizik, duke treguar edhe një herë se suksesi në botën e artit shpesh kërkon sakrifica të mëdha.