Studentja ruse Olesya Krivtsova është në arrest shtëpiak. Ajo ka një pajisje elektronike në këmbë nga ku policia mund të monitorojë çdo lëvizje të saj. Olesya u arrestua për postime kundër luftës në mediet sociale. Një prej tyre kishte të bënte me shpërthimin e urës që lidh Rusinë me Krimenë e aneksuar. Ajo tha për BBC se:
Unë postova një story në Instagram për urën.
Ajo kishte shpërndarë edhe postimin e një miku të saj për luftën. Më pas filloi drama.
Unë po flisja në telefon me nënën time kur dëgjova hapjen e derës. Shumë policë hynë brenda. Më morën telefonin dhe më bërtitën të shtrihesha në dysheme.
Olesya u akuzua për justifikimin e terrorizmit dhe diskreditimin e forcave të armatosura ruse. Ajo rrezikon deri në 10 vjet burg.
Nuk e kisha imagjinuar kurrë që dikush mund të merrte një dënim kaq të gjatë me burgim për postimin e diçkaje në internet. Kisha parë raporte për vendime të çmendura në Rusi, por nuk i kisha kushtuar shumë vëmendje dhe vazhdova të flisja.
Një studente e Universitetit Federal Verior në Arkhangelsk, Rusi, Olesya tani është shtuar në listën zyrtare të Rusisë të terroristëve dhe ekstremistëve.
Kur kuptova se isha futur në të njëjtën listë me sulmuesit e shkollave dhe grupin e Shtetit Islamik, mendova se ishte e çmendur.
Sipas rregullave të arrestit shtëpiak, asaj i ndalohet të flasë në telefon dhe të hyjë në internet. Olesya ka një tatuazh në këmbën e saj të djathtë, ku paraqitet presidenti rus Vladimir Putin si një merimangë, me një mbishkrim:
Vëllai i Madh po ju shikon.