Në kërkim nga Spanja, një 28 vjeçar u arrestua në aksin Vau i Dejës-Shkodër, në një operacion të Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me INTERPOL-in. Dyshohet se ka kultivuar bimë cannabis, me ndihmën e llambave, si dhe për vjedhje të energjisë elektrike. Pritet të ekstradohet drejt Spanjës, ku Gjykata e Barcelonës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit/Operacione të njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar. Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 45”. Akuzohet se ka kultivuar bimë Cannabisi, me llamba, në Spanjë, kapet në aksin “Vau i Dejës-Shkodër”, 28-vjeçari.
Si rezultat i koordinimit të punës dhe shkëmbimit të informacioneve, me partnerët spanjollë, nëpërmjet INTERPOL, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit “Operacionalja 45”, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasin Elton Kola, 28 vjeç, të lindur në Shkodër.
Ai kërkohej ndërkombëtarisht, sepse Gjykata e Barcelonës, në vitin 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kultivim të bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike.
Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Madridin, për të finalizuar ekstradimin e këtij shtetasi.