Aktualitet

Shtëpi bari në Spanjë, 3 shqiptarë në pranga!

Në kuadër të operacionit të koduar “Maraguan”, Garda Civile në Spanjë zbuloi një qendër prodhimi dhe magazinimi të marijuanës në qytetin La Zubia, duke sekuestruar më shumë se 32 kilogramë, si  lënde edhe 395 bimë kanabis sativa.

Tre shtetas shqiptarë të moshave 29 deri në 35 vjeç u arrestuan si autorë të dyshuar të kultivimit dhe prodhimit të lëndëve narkotike. Po ashtu, akuzohen për vjedhjen e energjisë elektrike.

Sipas mediave, ky operacion është rezultat i një tjetër aksioni më 30 nëntor 2024. Policia zbuloi një qendër të prodhimit të marijuanës në qytetin La Zubia, ku u gjetën 191 bimë kanabis sativa që ishin gati për korrje dhe 17 kilogramë marijuanë, gati për shitje.

Pas arrestimit të një shtetasi lituanez, hetuesit e Gardës Civile të La Zubias zbuluan se ekzistonte një shtëpi tjetër në të cilën kultivonin kanabis sativa, i gjithë prodhimi i së cilës do të shkonte në vendet e Europës veriore.

Agjentët filluan të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshne shtëpinë. Gjatë kontrollit, Garda Civile zbuloi se atje banonin tre shqiptarë dhe bodrumin e kishin pajisur me gjithçka që ishte e nevojshme për kultivimin në mjediset e brendshme të kanabis sativas.

Në bodrum agjentët zbuluan një plantacion me 395 bimë kanabis sativa në proces tharjeje dhe 32 kilogramë marijuanë tashmë gati për shitje.

Tre të arrestuarit janë dërguar në burgun e Albolotes, në pritje të masës së sigurisë.