Atletja polake Maria Andrejczyk nxorri në ankand medaljen e argjendtë që fitoi në Lojërat Olimpike të Tokios për të ndihmuar në financimin e operacionit në zemër të një djali. Foshnja tetë muajshe, e quajtur Miloszek, kërkon një ndërhyrje kirurgjikale prej 280,000 paundësh në SHBA dhe hedhësja e shtizës shpresonte të merrte gjysmën e kësaj shume në ankand të medaljes së saj.

Zabka Polska, një zinxhir dyqanesh, njëkohësisht edhe blerësi i medaljes më vonë tha se Andrejczyk mund ta mbante medaljen e saj, duke vlerësuar “gjestin e saj të bukur dhe jashtëzakonisht fisnik”. Që nga e marta në mëngjes, faqja e dhurimit aktualisht është në 90% të qëllimit të saj.

Andrejczyk doli e katërta në garën e shtizës në Olimpiadën e Rios 2016. Në vitin 2018, ajo u diagnostikua me kancer, por sidoqoftë fitoi të argjendtën në Tokio 2020.
Rikujtojmë, se për herë të parë, Shqipëria garoi në finalen e madhe të Lojërave Olimpike. Atletja Luiza Gega përfundoi garën e 3000 metrave me pengesa dhe u rendit e 13-ta me kohën 9:34.10. Vlen të përmendet se për 32-vjeçaren është një kohë jo ndër më të mirat e karrierës, më konkretisht është 8 sekonda e 5 të qindtat më shumë se rekordi i saj i vendosur në Oslo 4 vjet më parë me 9 minuta 26 sekonda e 5 të qindtat.