Pasi nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani tha sot se Neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual dhe mandati i saj përfundon më 4 prill.
Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri. Ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Pra, nuk kemi të bëjmë me një debat publik. Kemi të bëjmë me një fakt të qartë kushtetues. Kushtetuta nuk është shkruar për interpretime që relativizojnë peshën e saj. Ajo është shkruar për të garantuar funksionimin e shtetit, jo zvarritjen dhe mosfunksionimin.
Presidentja adresoi edhe interpretimet se presidenti mund të zgjidhet brenda 60 ditëve pas nisjes së procedurës në Kuvend. Sipas saj, pasojat janë të qarta.
Kushtetuta e parashikon qartë që një Kuvend që nuk arrin të zgjedhë presidentin, nuk mund të vazhdojë pafundësisht të zvarrisë procesin, siç po tentohet, por përballet me një mekanizëm të qartë kushtetues që çon në shpërndarjen e tij. Për më tepër nenet 82 dhe 83 duhen të lexohen së bashku. Edhe vetë Gjykata Kushtetuese ka theksuar se normat kushtetuese interpretohen të ndërlidhura e jo ndaras me njëra-tjetrën.
Sipas Osmanit, kjo do të thotë se ndonëse procedura për zgjedhjen e presidentit mund të fillojë 60 ditë para afatit të fundit, ajo nuk mund të shtyhet, por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë të përfundimit të mandatit aktual, që në këtë rast do të thotë data 5 mars 2026.
Presidentja Vjosa Osmani i bëri këto deklarata pak orë pas përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të ri.
Procesi dështoi në Kuvendin e Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit. Kandidatë për president ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, që të dy të propozuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Pas dështimit të procesit, rreth mesnate, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu bëri të ditur se nga Gjykata Kushtetuese kërkoi të pezullojë përkohësisht afatet kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.