Në një dalje për mediat në mëngjes, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani njoftoi se nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit, se siç theksoi, përfaqësuesit e vendit “vendosën ta çojnë Kosovën në zgjedhje”.
Është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës, tha Osmani, pak orë pas përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të ri.
Dje në ditën e fundit kur Kosova duhej të niste procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri sipas afatit kushtetues, procesi dështoi në Kuvend. Seanca parlamentare u ndërpre në mungesë të kuorumit, pasi mungoi opozita. Për të zgjedhur presidentin, nevojitet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë.
Në garë ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të dy nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Për shkak të këtyre zhvillimeve, rreth mesnate, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu i kërkoi Gjykatës Kushtetuese t’i pezullojë afatet kushtetuese përkohësisht për zgjedhjen e presidentit të ri.
Ndërkohë, Arbërie Nagavci nga partia në pushtet Vetëvendosje, vuri në dukje se Gjykatës Kushtetuese do t’i kërkojnë edhe masa kundër deputetëve të opozitës, të cilët nuk morën pjesë në seancën e djeshme dhe kështu e bënë të pamundur votimin për presidentin. Më herët, presidentja në detyrë, Vjosa Osmani solli amendamente kushtetuese që kreu i shtetit të mund të zgjidhet nga vota e popullit, por Kuvendi i Kosovës dështoi që të siguronte mbështetje për kalimin e tyre.