Rajoni

Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin e Kosovës/Kryeparlamentarja Haxhiu i drejtohet Kushtetueses!

Dje në ditën e fundit kur Kosova duhej të niste procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri sipas afatit kushtetues, procesi dështoi në Kuvend. Seanca parlamentare u ndërpre në mungesë të kuorumit, pasi në sallë mungoi opozita.

Nuk ka kuorum për ta vazhduar këtë seancë. Disa herë iu bëra thirrje deputetëve të vijnë e të jenë të pranishëm, por ata nuk janë të pranishëm dhe kështu që nuk i kemi 2/3-at e deputetëve. Nuk mund të vazhdojmë me votimin, u shpreh kryetarja e Parlamentit, Albulena Haxhiu.

Për të zgjedhur presidentin, nevojitet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë.

Në garë ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të dy nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Tani, parlamenti do të duhet ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh ose vendi shkon drejtpërdrejt në zgjedhje.

Komisioni Parlamentar për Legjislacionin konstatoi njëzëri se kandidatët e nominuar për president të Kosovës i plotësojnë kushtet e parapara me Kushtetutë, tha zv.kryetari i tij, Vigan Qorrolli.

Për shkak të këtyre zhvillimeve, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu i kërkoi Gjykatës Kushtetuese t’i pezullojë afatet kushtetuese përkohësisht për zgjedhjen e presidentit të ri.

Rreth mesnate, Haxhiu shkroi në rrjetin social Facebook:

Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit.

Haxhiu bëri të ditur se për ketë është njoftuar edhe presidentja Vjosa Osmani.

Ndërkohë, Arbërie Nagavci nga partia në pushtet, vuri në dukje se gjykatës do t’i kërkojnë edhe masa kundër deputetëve të opozitës, të cilët nuk morën pjesë në seancën e djeshme dhe kështu e bënë të pamundur votimin për presidentin.

Presim dhe bëjmë thirrje që të shqyrtohet me prioritet kjo kërkesë e jona, sepse besojmë se deputetët që nuk morën pjesë në seancë kanë shkelur Kushtetutën, deklaroi Nagavci.

Më herët, presidentja në detyrë, Vjosa Osmani solli amendamente kushtetuese që kreu i shtetit të mund të zgjidhet nga vota e popullit, por Kuvendi i Kosovës dështoi që të siguronte mbështetje për kalimin e tyre.