Rajoni

Presidenti i ri i Malit të Zi: Nuk ka tërheqje të njohjes së Kosovës!

Presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, i tha televizionit Nova se “rruga europiane e Malit të Zi është e padiskutueshme” dhe se “politika e jashtme  bazuar në marrëveshjet e nënshkruara ndërkombëtare, nuk do të ndryshojë”. I pyetur nga gazetarët nëse kjo do të thotë se nuk është reale të pritet tërheqja e njohjes së Kosovës, Milatoviç u shpreh se “kjo është e qartë”.

Ne mbështesim gjithçka për të cilën do të bien dakord Beogradi e Prishtina. Mendoj se normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës është i rëndësishëm për të gjitha vendet në rajon dhe Mali i Zi dëshiron të jetë një fqinj i mirë që do të promovojë marrëdhënie të mira fqinjësore.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve të 2 prillit, Milatoviç mundi ish-presidentin Milo Gjukanoviç, duke i dhënë fund qeverisjes mbi 30 vjeçare të Partisë Demokratike të Socialistëve në Podgoricë.

Në deklaratat e mëparshme për mediat, konfirmoi se mbështet nismën rajonale të Ballkanit të Hapur, të cilës Mali i Zi nuk i është bashkuar. Milatoviç beson se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është europiane dhe se vendi mund të jetë partner i rëndësishëm.

Mali i Zi mund të luajë rol të rëndësishëm si një lokomotivë që mund të jetë e para që do të hyjë në BE e t’i shtyjmë edhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të na bashkohen.

Në një intervistë për Associated Press, tha se një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme do të jetë përshpejtimi i anëtarësimit të vendit në BE. Ndërkaq, shpreson që Mali i Zi të bëhet anëtar i BE-së në pesë vitet e ardhshme.

Milatoviç theksoi se kjo është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për pushtimin rus të Ukrainës.

Pra, një politikë e jashtme në përputhje të plotë me atë të BE-së është ajo që duhet ta udhëheqë Malin e Zi në të ardhmen. Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani kur bëhet fjalë për agresionin rus në Ukrainë. Mendoj se në Europë dhe padyshim në Mal të Zi, askush nuk mund ta mbështesë pushtimin e një shteti tjetër sovran.

Të hënën, Bashkimi Europian shprehu gatishmëri për të punuar me presidentin e ri të zgjedhur të Malit të Zi, duke nënvizuar bindjen se ky shtet do të mbetet i përkushtuar për rrugën europiane.