Rajoni

Presidenti serb Vuçiç proteston te Perëndimi për urat në Mitrovicë!

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, bëri të ditur se Beogradi ka protestuar te fuqitë perëndimore, pasi qeveria në detyrë e Kosovës vendosi gurë themelet për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër.

Kanë bërë shumë gjëra dhe tani kemi parë që kanë vendosur gurë themele për dy ura, pa marrë pëlqimin e popullit serb e të njerëzve në Mitrovicën e Veriut, sepse kjo do të nënkuptonte eksod përfundimtar, u shpreh Vuçiç për televizionin Informer, siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Një ditë më parë, qeveria në detyrë e Kosovës vendosi gurë themelet për ndërtimin e dy urave të reja mbi Ibër, lumin që ndan Mitrovicën në pjesën jugore të banuar me shqiptarë dhe në atë veriore me shumicë serbe.

Njëra prej urave pritet të jetë për këmbësorë dhe tjera për automjete. Autoritetet kosovare thanë se projekti me vlerë rreth 3 milion eurosh ka për qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet banorëve nga të dyja anët e lumit.

Por, reagimet në terren janë të ndryshme pasi disa e përkrahin këtë nismë dhe të tjerët e shohin si “të panevojshme”. Urat e reja do të vendosen në anën e majtë e të djathtë të asaj kryesore, çka është pjesë e Marrëveshjes Kosovë-Serbi për Lirinë e Lëvizjes, të arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel.

Megjithatë, nga Bashkimi Europian i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se nuk janë të përfshirë në këtë projekt dhe as që janë njoftuar në lidhje me të.

Sipas Unionit, çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës mbi lumin Ibër duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke i përfshirë plotësisht të gjitha komunitetet që preken.