Rajoni

Lidhja e Mitrovicës, qeveria e Kosovës nis ndërtimin e dy urave të reja mbi Ibër!

Pasdite nis procesi i ndërtimit të dy urave në të dy krahët e asaj kryesore mbi lumin Ibër, përmes së cilave qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se synon të lidhë Mitrovicën e Veriut të banuar me shumicë serbe me Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare. Gurthemelet e dy urave për automjetet dhe këmbësorët, vendosen në orën 17:00.

Në ceremoni do të marrin pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti; kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq; nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri; ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryesues i Bordit të Përbashkët të dy komunave; Elbert Krasniqi; si dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, qeveria në detyrë e Kosovës, tha më herët se projekti për ndërtimin e urave nisi me kërkesë të dy komunave, si rezultat i krijimit të Bordit të Përbashkët të Mitrovicës.

Memorandumi i mirëkuptimit, parashikon që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) t’i financojë e zbatojë këto projekte infrastrukturore që përfshijnë ndërtimin e urave për këmbësorë dhe automjete mbi lumin Ibër, me qëllim lehtësimi të lirisë së lëvizjes së qytetarëve e mallrave.

Sa i përket mundësisë së hapjes së urës kryesore mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve, gjë që ka shkaktuar tensione vitin e kaluar, qeveria ka theksuar se qëndrimi i saj nuk ndryshon:

Ura kryesore mbi Ibër duhet të jetë e hapur për qarkullim të plotë, ndërsa ndërtimi i dy urave të reja do të kontribuojë më shumë në frymën e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave dhe lëvizjen e lirë në të dyja anët e lumit Ibër.

Një këshilltar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut nga komuniteti serb, Dushan Millunoviç, beson se këto ura nuk janë të nevojshme.  “Ndërtimi i këtyre urave do të ndikojë negativisht në situatën e përgjithshme”, u shpreh Millunoviç.

Nëse do t’i kishim zgjidhur të gjitha problemet e qytetit, siç janë rrugët, kanalizimet, infrastruktura… Nëse do të ishte koha për të ndërtuar ura, do ta kuptoja. Por, për fat të keq, situata në terren nuk është e tillë, u shpreh ai për Radion Evropa e Lirë.