Në fjalimin gjatë sesionit të përbashkët parlamentar në Prishtinë mes Kosovës e Shqipërisë e që drejtohet nga kryeparlamentarët Glauk Konjufca dhe Elisa Spiropali, presidentja Vjosa Osmani tha se “duhet të shërbejë si një thirrje për veprim, një kujtesë se qëllimi i përbashkët kërkon ambicie edhe më të mëdha”.
Ne po jetojmë në një kohë të trazuar, e cila kërkon bashkëpunim dhe qëllim. Për Kosovën e Shqipërinë, kjo nuk është thjesht një zgjedhje, por një domosdoshmëri. Një Shqipëri e fortë do të thotë një Kosovë edhe më e fortë. Një Kosovë më e suksesshme e ngre edhe më lart Shqipërinë.
Historia nuk do të na gjykojë me dashamirësi nëse nuk e shfrytëzojmë këtë moment për të ndërtuar unitetin e harmoninë e domosdoshme. Prosperiteti i Kosovës dhe Shqipërisë është detyrë që na përket të gjithëve, liderëve, institucioneve e çdo qytetari. Secili prej nesh duhet të luajë rolin e tij në përparimin e vizionit të shteteve dhe qytetarëve tanë brenda familjeve e kombeve europiane.
Osmani theksoi se “lidhja e thellë mes Kosovës e Shqipërisë është e rrënjosur në histori e sakrifica të panumërta”.
Kjo lidhje nuk është thjesht simbolike, është një themel i pathyeshëm mbi të cilin duhet të ndërtojmë bashkëpunim më të madh e koordinim më të shpeshtë. Shqipëria e Kosova nuk janë vetëm dy shtete të pavarura, por janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh, të bashkuar nga një histori e lavdishme dhe një e ardhme e ndritur.
Sipas kryetares së shtetit, “aspirata e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE, nuk është vetëm qëllim politik, por pasqyrim i identitetit dhe vizionit të saj”.
Fatkeqësisht, pengesat me të cilat Kosova përballet në këtë rrugëtim janë tejet të mëdha. Padrejtësitë ndaj popullit të Kosovës sa vijnë e rriten. Për t’i kaluar këto pengesa suksesshëm, na duhet mbështetja e vazhdueshme e Shqipërisë. BE-ja do të jetë më e sigurt, më e qëndrueshme e më e plotë me shtetet tona si pjesë e saj. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do t’i japë përfundimisht fund orekseve të Serbisë.
Ndër të tjera, foli për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, si dhe për tendencat, sipas saj, që në Maqedoninë e Veriut, “shqiptarëve t’iu largohen të drejtat e fituara”.
Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc i kanë sytë nga ne. Vazhdimisht i shkelen të drejtat në mënyrë flagrante. Teksa bota demokratike po mbyll sytë para këtyre shkeljeve ne duhet të ngrejmë zërin më shumë se kurrë më parë që të ndërpriten këto shkelje. Derisa po flasim dhe jemi bashkuar në këtë Kuvend, akoma ekzistojnë tendenca për të shkundur themelet mbi të cilat është ndërtuar Maqedonia e Veriut për të destabilizuar edhe këtë vend duke larguar të drejtat tashmë të fituara të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet si popull konstituiv. Ne nuk duhet të qëndrojmë të heshtur as t’i mbyllim sytë përballë këtyre tendencave.