Fejesa e Princ Leka II me Blerta Celibashin ka rikthyer sërish në qendër të vëmendjes familjen mbretërore shqiptare. Këtë herë, vëmendja nuk është tek historia e dashurisë, por tek unaza që po bën xhiron e mediave botërore.
Sipas revistës britanike “Hello Magazine”, princi shqiptar i ka propozuar partneres me një unazë fejese që vlerësohet në rreth 120 mijë paund, ose afërsisht 140 mijë euro.
Eksperti i bizhuterive Nilesh Rakholia e përshkruan unazën si “të qetë, elegante dhe pa teprime” – një diamant me prerje ovale ose cushion, i vendosur mbi një shirit të hollë të zbukuruar me gurë pavé.
Rakholia shton se, nëse diamanti qendror është 2 deri në 3 karatë, çmimi i llogaritur është plotësisht i arsyeshëm.
Ai e quan stilin “regal, por bashkëkohor”, një mënyrë për të treguar status dhe dashuri, pa pasur nevojë për ekstravagancë.
Çifti ndau lajmin në rrjetet sociale, me foto nën diellin e vjeshtës, ku unaza shkëlqente në dorën e Blertës. Oborri Mbretëror e quajti këtë moment “fillimin e një kapitulli të ri”.
Fejesa vjen një vit pas ndarjes së Princ Lekës nga Elia Zaharia, me të cilën ka një vajzë, Princeshën Geraldinë.
Lidhja me Blerta Celibashin u bë publike në shtator 2024 dhe që atëherë ata janë parë së bashku në ngjarje kulturore dhe bamirësie.
Artikulli i “Hello Magazine” ka nxitur një valë reagimesh në mediat ndërkombëtare si “People”, “9Honey”, “Tatler”, “Sky News” dhe “Geo News”, të cilat theksojnë detajet e unazës, vendin e propozimit dhe raportin e çiftit.
Në një kohë ku fejesat e personazheve publikë shpesh kthehen në spektakël, zgjedhja e Princ Lekës për një unazë të sofistikuar, por të përmbajtur, po vlerësohet si shembull i “luksi të heshtur” — një simbol dashurie me klas, që flet më shumë për ndjenjën sesa për çmimin.