Princ Leka ka ndarë me ndjekësit e tij një moment të veçantë në rrjetet sociale, duke postuar një selfie pranë partneres së tij, Blertës. Në foto, çifti shfaqet i buzëqeshur dhe i relaksuar, duke shijuar një udhëtim në Milano.
Pamja është realizuar në Galleria Vittorio Emanuele II, një nga vendet më ikonike dhe të vizituara të qytetit italian.
Kupola e madhështore prej xhami në sfond i ka dhënë fotos një atmosferë elegante dhe romantike, gjë që ka tërhequr menjëherë vëmendjen e ndjekësve.
Megjithatë, postimi i fundit i Princ Lekës vjen pak muaj pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila në mars 2024 e dënoi atë me 1 vit burg për akuzën e “dhunës në familje”. Për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 8 muaj, ndërsa ekzekutimi u pezullua për 16 muaj shërbim prove.
Në të njëjtin vendim, gjykata dha 10 muaj burg edhe për Gjergj Zaharinë, babanë e Elias, i cili përfitoi uljen e dënimit në 6 muaj e 20 ditë dhe pezullim për 1 vit e 40 ditë. Nga ana tjetër, Elia Zaharia u shpall e pafajshme, pasi veprimet e saj nuk u konsideruan vepër penale.
Pavarësisht ngjarjes së kaluar, selfie-ja në Milano tregon se Princ Leka dhe Blerta po shijojnë kohën e tyre së bashku, duke ndarë me publikun një imazh ndryshe, larg tensioneve të muajve të fundit.